E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, në rrezik për jetën 31 vjeçari

 

zirina llambro

Gripi i derrave i rrezikon jetën një 31-vjeçari nga Durrësi. Ai është shtruar në sanatoriumin e kryeqytetit dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Pacienti ka tre ditë që ka mbërritur në këtë spital dhe aktualisht është në reanimacion. Nga sa pohojnë burime nga sanatoriumi mësohet se 31-vjeçari vuante edhe nga pneumonia, çka ka bërë që marrja e virusit AH1N1 të përkeqësojë sëmundjen kronike. “Pacienti po kurohet me tamiflu, pasi ka probleme të rënda respiratore. Dhoma është izoluar për të mos infektuar pacientët e tjerë aktualisht është i intubuar dhe po merr artificialisht oksigjen”, shprehen mjekët. Sipas tyre, në reanimacion ndodhet edhe një tjetër i dyshuar që mund të mbartë virusin e rrezikshëm. Ai ka të njëjtat siptoma si të 31-vjeçarit nga Durrësi, probleme me frymëmarrjen, por sipas mjekëve për këtë pacient ende nuk kanë dalë analizat. Ndërsa për pacientin nga Durrësi përgjigjet mbërriten urgjentisht në mbrëmjen e të shtunës nga Instituti i Shëndetit Publik. Pavarësisht se në fundjavë në spital ndodhen mjekët e rojës, një grup specialistësh janë paraqitur në punë për ndjekjen e rastit të veçantë. Ndërkaq, nga  76 rastet e konfirmuara nga gripi i derrit tre prej tyre kanë shfaqur komplikacione. Katër ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u mbajtën nën vëzhgim dy pacientë, të cilët shfaqën probleme të frymëmarrjes. Por pas asistencës mjekësore gjendja e tyre u përmirësua. Vetëm dy ditë më parë në Kosovë humbi jetën një 31-vjeçar, i cili vuante nga pneumoni kronike. Ai ishte paraqitur në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore pa mundur t’i rezistonte agresivitetit të virusit. Nga sa pohojnë mjekët të sëmurët kronikë mbeten grupi më i rrezikuar për të pasur komplikacione nga gripi i derrave. Kjo pasi tek ata virusi shfaqet tejet agresiv. “Ndaj, sidomos persona që kanë probleme respiratore kronike duhet të bëjnë kujdes dhe të këshillohen menjëherë me mjekun, pas simptomave të para të ngjashme me të gripit”, sqarojnë mjekët. Sipas tyre, të sëmurët kronikë duhet gjithashtu, të bëjnë vaksinën kundër gripit të zakonshëm. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të personave që po preken nga gripi stinor, por edhe nga virusi A/H1N1. Mbi bazën e gjendjes klinike me të cilën pacientët paraqiten në spital, mjekët do të vendosin për trajtimin me medikamentin tamiflu, edhe pa pritur përgjigjen e analizave. Nëse një person ka komplikacione edhe nga gripi sezonal trajtimi i tij me tamiflu mund të shihet si formë kurimi. Aktualisht dyshohen edhe 10 raste të prekura nga AH1N1. Brenda një jave numri është dyfishuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›