Zgjedhje të qeta, LDK fiton Prishtinën
Kosova kaloi me sukses testin e organizmit të zgjedhjeve të para lokale në vend që pas pavarësisë, me gjithë pjesëmarrjen jo shumë të lartë në votime. Zgjedhjet ishin të qeta dhe me incidente të vogla të parëndësishme dhe probleme të vogla teknike. Simpatizantët e partive kanë dalë të festojnë rreth orës 23:00 pas paraqitjes së rezultateve paraprake jozyrtare nga vetë partitë politike. Të parët që kanë dalë në konferencë për shtyp me rezultatet ishin përfaqësuesit e LDK-së. Lutfi Haziri nga kjo parti, deklaroi se nga 67 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, 57 për qind i takojnë kandidatit të tyre Isa Mustafa, 20 për qind të Vegim Gashit dhe 12.5 për qind Astrit Salihut nga PDK-ja. Sipas kësaj partie, ata kanë fituar pa balotazh edhe në Podujevë dhe Istog kurse në balotazh kandidati i tyre do të jetë në komunat e Gjilanit, Prizrenit dhe Mitrovicës. Në Prishtinë shpërtheu festa nga simpatizantët e LDK-së, të cilët duket se kanë rrëmbyer mandatin e dytë për Prishtinën. Hajredin Kuçi nga PDK-ja, doli në konferencë për media dhe deklaroi se kjo parti ka fituar në nivel të Kosovës, duke arritur të mbajë komunat aktuale që ka me një diferencë përparësie prej 20 për qind me LDK-në. Disa nga qytetet që kjo parti tashmë ka shpallur fitore janë në Gjilan, Prizren e Ferizaj. AAK-ja, ka përparuar ne komunat Pejë, Gjakovë, Junik, Deçan, Suharekë, Vushtrri, Obiliq, Istog, Prizren, Dardanë dhe Gjilan. Ibrahim Gashi, nënkryetar i AKR-së, mohoi fitoren e Isa Mustafës në Prishtinë, pa balotazh. Sipas Gashit, AKR-ja ka rezultate shumë të mira në Viti dhe Kamenicë kurse pret që të shkojë në balotazh në Mitrovicë dhe Gjakovë. Ai mohoi edhe fitoren në Gjakovë,të kandidatit të AAK-së. Kosovarët zgjodhën kryetarët e 36 komunave dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale në garën me 74 subjekte politike, ku 20 ishin serbe. Në të gjithë Kosovën mbetën pa hapur rreth 1.5 për qind e vendvotimeve në zonat serbe. Presidenti, Fatmir Sejdiu e ka vlerësuar si historike ditën e zgjedhjeve. Kryeministri Hashim Thaçi gjatë hedhjes së votës u bëri thirrje qytetarëve të votojnë dhe theksoi se ky ishte treguesi që Kosova e meritoi pavarësinë. Ndërsa europarlamentarja Doris Pack, e cila ishte vëzhguese në Kosovë, e konsideroi organizimin e procesit mjaft të mirë. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith dhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell i kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjet.
Pjesëmarrja e serbëve
Në Kosovën qendrore është shënuar një përqindje më e madhe e daljes së votuesve serbë në zgjedhjet lokale, krahasuar me veriun e Kosovës, ku pjesëmarrja pothuajse ka munguar. Me gjithë angazhimin e disa njësive mobile për votim, pjesëmarrja e qytetarëve serbë në votime ka qenë e zbehtë, ose nuk kanë marrë pjesë fare.
Deklaratat e partive
Vlerësimi i përbashkët i të gjitha partive kryesore politike është se procesi i zgjedhjeve ishte i rregullt, me gjithë akuza të ndërsjella me pak rëndësi. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, veçon si incident më të rëndë një sulm në një zyre të PDK-së në Deçan. Por theksoi se zgjedhjet ishin demokratike dhe shembull i organizimit të mirë. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i vlerëson zgjedhjet të rregullta, duke drejtuar ankesa për PDK-në për probleme që nuk kanë ndikuar në procesin e tërësishëm të zgjedhjeve. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar PDK-në gjithashtu për raste parregullsish në Prizren, Kaçanik, Mitrovicë, Klinë e Lipjan. Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re, ndonëse me disa vërejtje, konsideron se procesi ka ecur në përgjithësi mirë. Me më shumë ankesa është paraqitur Lidhja Demokratike e Dardanisë, për tendenca të ndikimit të partive rivale te votuesit pas orës 16:00. Megjithatë, edhe LDD e vlerëson të suksesshëm procesin zgjedhor.
rezultatet
Pjesëmarrja
Deçan 41. 93 % AAK
Gjakovë 49.49% AAK-AKR
Drenas 58.85 %
Gjilan 46.51 % LDK-PDK-AAK
Dragash 37.57 %
Istog 43.73% LDK-AAK
Kaçanik 50.45 %
Klinë 48.35 %
Fushë Kosovë 45.73 %
Kamenicë 46.51 % AKR
Mitrovica 35.26 % LDK-AKR
Leposaviq 0.83 %
Lipjan 55.28 %
Novo Bërdë 25.64%
Obiliq 46.57 % AAK
Rahovec 45.55 %
Pejë 42.68 % AAK
Podujevë 48.21 % LDK
Prishtinë 46.76 % LDK
Prizren 43.54 % LDK-PDK-AAK
Skenderaj 66.56 %
Shtime 51.94 %
Shtërpcë 30.91 %
Suharekë 50.08 % AAK
Ferizaj 44.49 % PDK
Viti 47.43 % AKR
Vushtrri 43.99 % AAK
Zubin Potok 6.64 %
Zveçan 0.75 %
Malishevë 52.52 %
Junik 45.97% AAK
Mamushë 65.71 %
Hani i Elezit 57.27 %
Graçanicë 23.62 %
Ranillug 13.89%
Kllokot 25.39 %