Programi i PS, në tryezë modelet e partive socialdemokrate evropiane
Grupi i punës pranë Asamblesë Kombëtare për programin politik të PS-së ka nisur punën prej disa ditësh dhe tani ndodhet në përcaktimin e modelit që do të përqafohet nga socialistët shqiptarë në 2010. Në grup po diskutohet mbi programet ekzistuese të PS-së, duke marrë prej tyre pjesët më moderne të tij por dhe duke ballafaquar modelet e partive socialdemokrate evropiane për çështje të caktuara. Debati në grupin e punës për programin, në krye të së cilit qëndron kryetari Rama, por që është drejtuar nga Valentina Leskaj në disa takime, është përqendruar rreth çështjeve se si do të jetë struktura, programi i PS-së, si do trajtohen çështjet e pronës, taksave, familjes etj. Por ajo që duket se do të marrë më shumë në bërjen e këtij programi, është diskutimi i propozimeve në disa audienca. Pritet që diskutimi rreth programit politik të zhvillohet në strukturat e PS, kryesisht asambletë lokale, në auditore universitare, në debate mediave, në forume të hapura në shtypin e PS, në “Zërin e Popullit”, por dhe në faqen e internetit të PS-së, ku pritet të debatohet rreth hartimit përfundimtar të programit politik të PS-së. Ndërkohë që grupi i punës për statutin ka hartuar një pyetësor me katër pika, përmes të cilit do të thithë mendimin e socialistëve dhe strukturave të tyre për ndryshimet në statut.
Një nga pikat e rëndësishme të këtij pyetësori është dhe tërheqja e mendimit të anëtarësisë për mendimin ndryshe në PS.