Kukës, shtohet numri i të prekurve nga gripi
Gripi i zakonshëm po përhapet me shpejtësi në qytetin e Kukësit. Mjekët në urgjencën e spitalit civil thanë për gazetën "Shqip" se është rritur numri personave me grip që kërkojnë ndihmë mjekësore. "Nga 25-30 vizita në ditë që kemi zakonisht, sot kemi pasur rreth 100 të tilla ku gati të gjithë ankohen për kollë, temperaturë, dhimbje koke, dhembje kyçesh, komplikacione në rrugët e frymëmarrjes, shqetësime pastro-intestinale", tha mjeku roje. Sipas tij, viroza është e rrezikshme dhe po përhapet me shpejtësi. Gripi si një sëmundje virusale ka prekur të gjitha moshat, por në mënyrë të veçantë fëmijët. Mësohet gjithashtu se për përballimin e situatës gripale drejtoria e spitalit rajonal ka shtuar personelin e shërbimit 24 orësh, si dhe ka kryer furnizimin me ilaçet kryesore. Problem mbetet mbipopullimi i pavijoneve, kryesisht infektivit dhe pediatrisë. Shefi i infektivit, Mark Nufi, tregon se shtimi i shpejtë i numrit të personave përbën një problem serioz për të cilin duhen marrë edhe masa shtesë. Të kesh të shtruar 60 persona brenda një jave kjo nuk është e zakonshme", tha mjeku. Nga ana tjetër, po i kushtohet vëmendje edhe monitorimit të situatës për të prekurit nga gripi i derrit, AH1N1.
s. d
s. d