E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, 4 persona në rrezik jete në Mirovicë

 MITROVICE - Katër persona të infektuar me virusin e gripit A/H1N1 ndodhen në rrezik jete në spitalin në Veri të Mitrovicës. Gjithsej në këtë spital janë 8 persona me simptoma të gripit të derrave, ka thënë për mediat serbe drejtori i spitalit dr. Milan Jakovlevic.
Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy pacientë të cilët gjatë fundjavës javës janë sjellë nga Graçanica në spitalin e Mitrovicës si dhe për dy persona të cilët prej disa ditësh ndodhen në spital. Gjendja e tyre paraqitet kritike për jetën.
Sipas mjekut Jakovlevic, është rritur numri i personave të cilët po kërkojnë ndihmën e mjekut me simptome të gripit. Gjatë fundjavës 329 pacientë kanë pasur shenja klinike të gripit, ndërsa numri më i madh është evidencuar në Leposavic, pastaj në Mitrovicë dhe Zveçan, të gjitha këto mjedise me popullsi serbe.

Ndërkohë Kryetari i Komitetit Nacional për Sëmundje Infektive, Isuf Dedushaj, ka deklaruar për Radio Kosovën, se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është i përgatitur mirë për të vepruar, në rast të rritjes së numrit të infektuarve.
Por, zyrtarisht, institucionet përgjegjëse bëjnë të ditur se nuk ka raste të reja me gripin e derrit. Zyrtarisht flitet edne për 3 raste.

Ndërkohë ekspertët europianë të shëndetësisë bëjnë të ditur se virusi A/H1N1 mund të vrasë deri 40 mijë persona në mbarë Evropën dhe mund të pasohet nga gripi sezonal, i cili po ashtu mund të shkaktojë po të njëjtin numër të të vdekurve.

Në një raport nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve me bazë në Suedi, thuhet se epidemia nga virusi A/H1N1, që njihet si gripi i derrave, tashmë ka prekur gati të gjitha Shtetet e Bashkimit Evropian.
Ajo që është e sigurt, sipas raportit, është se pandemia do të vazhdojë të vrasë mijëra persona dhe shumë pacientë do t’i vërë në përkujdesje intensive.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 5 mijë e 712 persona kanë vdekur në mbarë botën, që kur u zbulua virusi A/H1N1 në fillim të këtij viti.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›