Gripi i derrit, Shqipëria shënon viktimën e parë të virusit
Shqipëria shënon viktimën e parë nga gripi i derrit. Gjatë pasdites së djeshme, Ministria e Shëndetësisë bëri publik rastin e parë në vend që humbi jetën për shkak të virusit AH1N1. Bëhet fjalë për rastin e një 57-vjeçari nga Sukthi i Durrësit, rasti i të cilit ishte i konfirmuar nga autoritetet shëndetësore si mbartës i virusit AH1N1. 57- vjeçari humbi jetën gjatë pasdites së djeshme në Spitalin Infektiv të Tiranës për shkak të komplikacioneve që pati nga virusi i gripit të derrit. Sipas Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, viktima vuante nga tumori në prostatë. “Diagnoza e infeksionit me A H1N1 u konfirmua pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP. Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive nga Spitali i Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare “Shefqet Ndroqi”, vuante prej shumë kohesh nga tumori malinj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar”, - sqaroi Pipero. Por, sipas specialistëve, të gjithë personat e prekur nga virusi i gripit të derrit dhe që vuajnë nga sëmundje të tjera, janë më të predispozuar për të kaluar në gjendje të rëndë shëndetësore. Specialistët kanë bërë të ditur se virusi krijon komplikacione dhe vështirëson gjendjen shëndetësore të këtyre pacientëve. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, bëjnë të ditur se aktualisht janë prekur rreth 200 persona nga gripi i derrit.
4 Dhjetor 2009