Lejet e ndërtimit, dosja voluminoze që duhet të dorëzojnë biznesmenët
Emanuela Sako
Lejet e ndërtimit mund të merren vetëm nëse subjektet dorëzojnë një numër të madh dokumentesh, në bazë të rregullave të përcaktuara. Për t’u bërë pjesë e aktivitetit ndërtues në Tiranë, biznesmenët duhet të aplikojnë në Bashkinë e Tiranës për të marrë lejet për sheshe ndërtimi. Të interesuarit duhet t’u nënshtrohen një sërë procedurash të detyrueshme, për të marrë të drejtën e lejes së ndërtimit. Njëkohësisht, ata duhet të plotësojnë disa formularë dhe duhet të marrin dokumentacionin e nevojshëm, të cilin duhet ta dorëzojnë pranë Bashkisë. Specialistët pranë Bashkisë do të kryejnë shqyrtimin e dokumenteve të dorëzuara, nëse aplikuesit i përmbushin detyrimet ligjore për të përfituar ose jo. Për pajisjen me leje për sheshe ndërtimi, kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë të gjitha kriteret e mëposhtme.
Dokumentet
Për të aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës, duhet që personat e interesuar të dorëzojnë një mori dokumentacioni dhe të dhënash. Së pari, ata duhet të plotësojnë formularin me kërkesën, e cila duhet të firmoset nga të gjithë pronarët ose përfaqësuesi i firmës i autorizuar me prokurë ose nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes së lidhur midis palëve. Po kështu, ata duhet të dorëzojnë Gen –planin e azhurnuar me gjendjen faktike të zonës në shkallën 1:500 në, format A3, i konfirmuar nga sektori i Kadastrës Urbane pranë Bashkisë së Tiranës. Po kështu, specialistët e bashkisë duhet të njihen me të gjitha të dhënat urbanistike, vërtetimin e pronësisë të shoqëruar me hartën treguese etj. Aplikuesit duhet të dorëzojnë të gjitha të dhënat e objektit që do të ndërtojnë, të detajuara me të gjitha cilësimet.
Aplikuesit
Aplikuesit duhet t’i dorëzojnë formularët brenda afateve të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Dokumentacioni i tyre do të shqyrtohet nga KRRT-ja, specialistët e së cilës u referohen të dhënave të dorëzuara. Nëse dokumentacioni është në rregull me të dhënat urbanistike të zonës, gen-planit, të dhënat sizmologjike etj, atëherë aplikuesi ka mundësi përfitimi. Ndërsa në rastet kur origjina e pronës është objekt apo truall i privatizuar nga shteti, aplikuesi duhet të ketë parasysh që të dorëzojë vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nëse bëhet fjalë për dhurim, akt trashëgimie, kontratë shit- blerje.
box
Dokumentet e nevojshme për pajisjen me leje për sheshe ndërtimi
Formulari tip kërkese nr. 1 i plotësuar në të gjitha pikat e tij.
Kërkesa duhet të firmoset nga të gjithë pronarët ose përfaqësuesi i firmës i autorizuar me prokurë ose nëpërmjet kontratës se sipërmarrje së lidhur midis palëve. Prokura ose kontrata duhet të jenë origjinale dhe të noterizuara.
Gen –plan azhurnimi me gjendjen faktike të zonës në shkallën 1:500 në format A3 i konfirmuar nga sektori i Kadastrës Urbane pranë Bashkisë së Tiranës, ky gen-plan del me vulën e Bashkisë (kundrejt tarifës prej 40 lek/m² ).
Studimi urbanistik pjesor i zonës ku do të ndërtohet objekti. Ky studim do të bëhet mbi fotokopjen e gen-planit të azhornuar nga Bashkia ( pika 2). Studimi do të bëhet nga arkitekt i licencuar për këtë kategori dhe të jetë i firmosur dhe vulosur me firmë origjinale nga ai. Bashkangjitur edhe licencën e noterizuar të arkitektit.
Vërtetimin e pronësisë shoqëruar me hartën treguese. Ky dokument duhet të jetë i tre muajve të fundit dhe origjinal. Në të, të jetë e shprehur në m2 sipërfaqja e pronës, numri i pronësisë si dhe kufitarë.
Nëse ka ndërtime brenda pronës të sillet informacion nga njësia bashkiake nëse ka vetdeklarim sipas ligjit të legalizimeve. Në rastet e vetdeklarimeve subjekti ndërtues të sjellë deklaratë për strehimin e tyre dhe kjo deklarate të regjistrohet ne ZRPP si barrë mbi pasurinë. Kjo vlen për rastet kur ka studim të miratuar. Në rastet kur kalon studimi dhe sheshi njëherësh përveç informacionit nga njësia bashkiake nëse ka vetdeklarime duhet dhe kontrata e sipërmarrjes ose deklarata noteriale që dy palët janë dakord të ndërtojnë.
Origjina e pronës (kur ka objekte apo troje të privatizuar nga shteti)
Vendimi i komisionit të kthimit të pronave
Dhurim
Akt trashëgimie
Kontratë shit- blerje
Formulari
Formulari Nr. 3/1 së bashku me azhurnimet e infrastrukturës te hedhura në Gen-plan e përmendur në pikën 2 ( i fotokopjuar). Ndërmarrjet ku merren këto azhurnime ndodhen si më poshtë:
Ndërmarrja e ujësjellësit (rruga Maliq Muco )
Ndërmarrja e kanalizimeve të ujërave të zeza (rruga Maliq Muço )
Ndërmarrja elektrike (rruga Reshit Petrela )
Ndërmarrja e telekomit (rruga Reshit Çollaku )
Ndërmarrja e mbrojtjes kundra zjarrit (rruga Artan Lenja )
Agjencia Rajonale e Mjedisit (rruga Qemal Stafa )
Inspektorati Sanitar i Shëndetësisë
Mendimi i zyrës së urbanistikës pranë minibashkisë përkatëse.
Plani
Planvendosja e objektit ne shkallë 1:500 me përmasa dhe distanca nga kufijtë e pronës dhe aksi i rrugës, e cila do të punohet mbi fotokopje të gen-planit të hartuar nga sektori i Kadastrës. Kjo do të jetë e firmosur nga arkitekti. Në pjesën e sipërme të jetë shkruar qartë objekti, numri i kateve, rruga ku ndërtohet dhe pronarët e truallit.
Vërtetim mbi intensitetin sizmik nga Instituti Sizmologjik
Licenca e noterizuar e arkitektit
Deklaratë noteriale ku shprehet vullneti i pronarëve për ndërtim
Prokurë përfaqësimi ose kontratë kur formulari 1 plotësohet nga të tretë.
Marrëveshje me deklaratë noteriale me pronarin e pronë kufitare ku të theksohen numri i pasurive të pronarëve kufitarë të cilët japin këtë deklaratë. Të përputhen emrat e bashkëpronarëve që firmosin deklaratën me emrat e vërtetimeve hipotekare kur ky ndërtimi propozohet me kallkan deri në kufi të pronësisë. Deklaratat bëhen para noterit me vulë të thatë.
Dokumenti i pronësisë së kufitarit që jep kallkanin
Pëlqim mjedisor nga Agjencia Rajonale e Mjedisit
Leja nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në ato zona ose objekte që janë nën mbrojtjen e këtij institucioni.
Deklaratë noteriale e pronarit për personat e pastrehë qiramarrës në ish pronë private në se ka ose jo. Kjo shoqërohet me një vërtetim nga drejtoria e Burimeve Njerëzore e cila konfirmon këtë.
Formulari Nr. 6 ( Për prerjen e drurëve)
Formulari Nr. 8 plotësohet kur ka ndërtime brenda sheshit dhe firmoset nga të gjithë bashkëpronarët ose përfaqësuesi i tyre me prokurë. Në formularin 8 duhet të merret miratimi nga ARM dhe Inspektorati Sanitar. Formulari shoqërohet me deklaratën noteriale ku pronarët janë dakord për prishjen e këtyre ndërtimeve.
Vërtetim nga njësia bashkiake nëse ka vetdeklarime kur ka ndërtime pa leje.
Projekt-ideja e objektit hartuar nga projektuesi dhe tredimensionali në dy kopje të firmosura nga projektuesi me firmë origjinale. Projekti i punuar në kompjuter. Fotokopje e noterizuar e licencës se arkitektit.
Relacion shpjegues i studimit dhe projektit përgatitur nga projektuesit firmosur nga ai, me firmë origjinale.
Dokument fotografik i zonës (fotografi 20x30)
Fotomontazh i objektit mbi foton e gjendjes ekzistuese
4 Dhjetor 2009