E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, rastet kur subjektet përjashtohen nga procedurat e aplikimit



Emanuela Sako
Për marrjen e lejes për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi, subjektet duhet të plotësojnë kërkesat e detyruara nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt ata përjashtohen nga procedurat e aplikimit. Sipas ligjit subjektet duhet të dorëzojnë pranë bashkisë një dosje të plotë me dokumente për të marrë lejen e ndërtimit, por nëse gjatë shqyrtimit të dokumenteve nga specialistët hasen mangësi, atëherë subjekti përjashtohet nga aplikimi. Duke u bazuar në rregullat ligjore, ka mjaft raste kur subjekteve u është mohuar dhënia e lejes së ndërtimit nëse nuk ka pasur një plan urbanistik, i cili konsiderohet i domosdoshëm nëse do të ngrihet një ndërtesë në një zonë të caktuar.
Përjashtimet
Kërkesa për shesh ndërtimi është anuluar në rastet kur nuk është zbatuar në studim urbanistik pjesor të miratuar të zonës në fjalë. Gjithashtu, subjektet nuk kanë të drejtën e marrjes së lejes në rastet kur dokumentacioni paraqet mangësi tekniko-ligjore që shoqëron kërkesën. Pjesë e rasteve përjashtuese nga procedurat e aplikimit është kur ka pasur mungesë interesimi në plotësimin e dokumentacionit sipas kërkesave të përcaktuara për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit. Për t’u bërë pjesë e aktivitetit ndërtues në Tiranë, biznesmenët duhet të aplikojnë në Bashkinë e Tiranës për të marrë lejet për sheshet e ndërtimit. Të interesuarit duhet t’u nënshtrohen një sërë procedurash të detyrueshme, për të marrë të drejtën e lejes së ndërtimit. Njëkohësisht, ata duhet të plotësojnë disa formularë dhe duhet të marrin dokumentacionin e nevojshëm, të cilin duhet ta dorëzojnë pranë Bashkisë. Specialistët pranë Bashkisë do të kryejnë shqyrtimin e dokumenteve të dorëzuara, nëse aplikuesit i përmbushin detyrimet ligjore për të përfituar ose jo. Për pajisjen me leje për sheshe ndërtimi, kanë të drejt të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë të gjithë kriteret e mëposhtme.
Dokumentet
Në momentin e dorëzimit të dokumentacionit specialistët marrin në shqyrtim dosjen e plotë që u dorëzohet. Të gjitha dokumentet e dorëzuara shqyrtohen nga persona të specializuar, sipas përkatësisë. Plani urbanistik studiohet nga specialistë të urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, po kështu edhe çështja e pronësisë për tokën ku do të ngrihet ndërtesa apo kompleksi ndërtimor, zgjidhet nga juristë dhe specialistë të fushës. Edhe nëse subjekteve u jepet e drejta e ndërtimit, ata mund të hasen në probleme me Bashkinë nëse nuk zbatojnë rregulloren që u është dhënë. Subjektet nuk mund të ndërtojnë më tepër se sa u është dhënë leja. Ata nuk mund të bëjnë ndërhyrje apo ndryshime në infrastrukturën e ndërtesave ose oborreve përreth, përveç asaj që iu është lejuar nga specialistët. Njëkohësisht, subjektet nuk mund të kryejnë ndërtime nëse toka është e papërshtatshme për ndërtim dhe sidomos për ndërtime shumëkatëshe. Në rast se subjektet nuk zbatojnë, atëherë bashkia duhet të marrë masa ndaj tyre.

Dokumentacioni i paraqitur ka këto mangësi:

Në mbështetje të ligjit 8405 dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, neni 39, kërkesa për shesh ndërtimi nuk është zbatuar në studim urbanistik pjesor të miratuar të zonës në fjalë.

Paraqet mangësi në dokumentacionin tekniko-ligjor që shoqëron kërkesën e sipërpërmendur ,sipas ligjit 8405 dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën.

Ka pasur mungesë interesimi në plotësimin e dokumentacionit sipas kërkesave të përcaktuara për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit.

Për sa më sipër dhe në mbështetje të ligjit nr. 8485, datë 12.05.1999 “ Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë” (neni 85); ligjit nr. 8405 dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën”,(neni 22/1, pika 7 dhe neni 39) në rast të mosplotësimit të mangësive të sipërpërmendura brenda 10 ditësh nga data e lajmërimit, njoftohet se Bashkia e Tiranës ndërpret procedimin administrativ të kërkesës tuaj.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›