E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha rregullore të re për Policinë Private



Laureta Rryçi

Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, vetëm pak ditë më parë ka firmosur udhëzim të ri për procedurat e certifikimit, licencimit dhe kontrollit të veprimtarisë së Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike. Kështu në fillim të vitit 2010, këto subjekte do t’i nënshtrohen rregullave të reja si për të rinovuar licencën ashtu edhe për të hapur një aktivitet të ri. Ndryshe këto aktivitete njihen si polici private dhe kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i tyre në të gjithë vitin. Udhëzimi ka rritur numrin e dokumenteve që duhet të dorëzojnë të gjithë aplikuesit për të hapur një subjekt të tillë privat. Ndërkohë që ka zgjatur mënyrën e procedurës së aplikimit. Sapo ky udhëzim të hyjë në fuqi të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen edhe një testi për njohuri të përgjithshme si dhe disa kurseve private të cilat do të jenë jo më pak se 15 ditë. Të gjitha këto do të shqyrtohen nga Komisioni i shqyrtimit të Kërkesave për certifikim/licencim(KSHKC) i cili është pjesë e Departamentit të Sigurisë Publike në drejtoritë e policisë në qarqe (DPQ). Ndërsa komisioni i testimit të njohurive profesionale (KTNP)të kandidatit për drejtues teknik dhe të shërbimit në Departamentin për Trajnimin Policor do të realizojë pjesën e testimit. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm të gjithë udhëzimin që shoqërohet me formularët përkatës.
Procedurat
Për pranimin, verifikimin dhe shqyrtimin e dokumenteve për certifikim, ndiqet kjo radhë pune: Dokumentet paraqiten në DPPSH, te specialisti i ngarkuar me këtë detyrë, i cili kërkon nga subjekti plotësimin e formularëve përkatëse, sipas rubrikave dhe në fund i nënshkruan ato edhe vetë, duke vërtetuar vërtetësinë e plotësimit ë tyre nga kandidati. Me marrjen në dorëzim të dokumentacionit, pranuesi plotëson në dy kopje vërtetimin e pranimit të dokumenteve, ku njërën ia bashkëlidh dokumentacionit dhe tjetrën ia jep aplikuesit. Së bashku me vërtetimin aplikuesit i jepet një kopje e p[programit të testimit të njohurive profesionale. Dokumentet e pranuara regjistrohen brenda ditës në sekretari dhe njëkohësisht nga specialisti përkatës përgatitet dhe dërgohet kërkesa për përpilimin e vërtetimit të besueshmërisë së kandidatit, sipas kërkesës së paraqitur, te drejtoria e policisë së qarkut, në të cilën ndodhet vendbanimi i përhershëm i tij. Vetëdeklarimi dërgohet me shkresë përcjellëse për verifikim te struktura e policisë e ngarkuar me këtë detyrë , duke sqaruare dhe arsyet e verifikimit. Për drejtuesin teknik, bëhet kërkesa për testimin e njohurive profesionale. Drejtoria e policisë së qarkut, brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së kërkesës, dërgon vërtetimin e besueshmërisë pranë DPPSH-së, i cili përpilohet sipas rregullave e procedurave të përcaktuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Komisioni i testimit të njohurive profesionale në Departamentin e Trajnimit Policor, në datën e përcaktuar mblidhet dhe zhvillon testimin vlerësues, duke vlerësuar nëse kandidati është ose jo i aftë nga ana profesionale për kryerjen e detyrës së drejtuesit teknik të SHRSF-së. Në përfundim vlerësimin e dërgon menjëherë pranë KSHKC-së. Komisioni i shqyrtimit të kërkesave për certifikim, ndërmjet datave 20-25 të çdo muaji, mblidhet dhe shqyrton dokumentacionin e grumbulluar nga sektori përkatës për pajisjen me certifikatë të titullarit të subjektit apo të drejtuesit teknik. Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës ky komision përgatit mendimin paraprak dhe certifikatat dhe ia paraqet për miratim Drejtori të Përgjithshëm të Policisë. Certifikatat përgatiten në dy kopje, njëra prej të cilave i jepet përkatësisht titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik, ndërsa kopja tjetër kundërfimoset përkatësisht nga titullari dhe drejtuesi teknik. Këto administrohen së bashku me dokumentet që kanë shërbyer si bazë e dhënies së tyre në kartotekën e Departamentit të Sigurisë Publike. Në rastet e refuzimit të dhënies së certifikatës së kërkuar bëhet njoftimi me shkrim i personit të interesuar.
Verifikimi
Drejtoria e policisë së qarkut dhe komisariatit i policisë që ka në juridiksion vendbanimin e përhershëm të kandidatit, brenda 20 ditëve nga dita e marrjes së kërkesës, përgatit dhe dërgon vërtetimin e besueshmërisë sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Komisioni i testimit të njohurive profesionale në DPQ, jo më pak se një herë në muaj mblidhet dhe zhvillon testimin vlerësues sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, duke vlerësuar nëse kandidati është ose jo i aftë nga ana profesionale për kryerjen e detyrës së punonjësit të shërbimit të SHRSF-së. Në përfundim të procesit , sektori që mbulon veprimtarinë e SHRFS-ve, i kalon për shqyrtim KSHKC-së, në DPQ, i cili mblidhet në intervalin e datave 20-25 të çdo muaji, materialin shkresor të grumbulluara, së bashku me dokumentet e dorëzuara nga kandidati për punonjës të shërbimit, me një relacion përmbledhës. Komisioni vlerëson besueshmërinë dhe përshtatshmërinë kandidatit, duke u bazuar dokumentet, rezultatet e testimit profesional, moshën etj. Në përfundim të procesit, komisioni jep mendimin paraprak, duke përgatitur propozimin në formë relacioni për drejtorin e policisë së qarkut. Certifikata i paraqitet më pas për miratim drejtorit të policisë së qarkut. Transferimi i punonjësit të shërbimit nga njëra shoqëri te tjetra lejohet të bëhet me kërkesë me shkrim të drejtuesit teknik të SHFRSF-së, që e merr atë në punë dhe të punonjësit të shërbimit, të drejtuara DPQ. Mbi bazën e dy kërkesave specialisti i drejtimit për SHRSF-në, kur nuk ka pengesë ligjore, me miratim të shefit të sektorit, kryen ndryshimet për transferimin në regjistrat dhe evidencat e policisë duke përgatitur e dërguar brenda pesë ditëve njoftimin zyrtar me shkrim për miratimin ose jo të transferimit të punonjësit të shërbimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin kur punonjësi i shërbimit ka mbetur pa punë për shkak të shkurtimeve apo të mungesës së tregut të punës, për një periudhë kohore më pak se një vit. Në rast se punonjësi ka një periudhë më shumë se një vit pa punë, atëherë kryen procedurat vetëm për vlerësimin e kriterit të besueshmërisë, duke bërë veprimet nëpërmjet KSHKC-së i cili shprehet për lejimin e rifillimit të punës, duke dërguar njoftimin si në rastin e transferimit, apo për heqjen e certifikatës së punonjësit të shërbimit.

box

Procedurat për certifikimin e punonjësve të shërbimit të SHRF-së
Për t’u pajisur me certifikatën e punonjësit të shërbimit, kandidati, i shoqëruar nga drejtuesit teknik i shoqërisë, duhet të paraqesë në DPQ, në territorin e së cilës është banor i përhershëm kandidati si dhe ushtron aktivitetin shoqëria e ruajtjes dhe sigurisë fizike, këto dokumente:
Autodeklarim “Për punonjës shërbimi”
Dokument identifikimi i njohur nga legjislacioni në fuqi
Vetëdeklarim
Dokument shkollor që ka mbaruar arsimin e detyrueshëm
Raport nga komisioni mjeko-ligjor, që është i aftë nga ana e shëndetit fizik e mendor
Vërtetim nga dega e mobilizimit të ushtrisë se e ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Fotografi të kandidatit, 4 copë, me përmasa 4x6 cm
Vërtetimi i arsyetuar nga drejtuesi teknik i SHRF-së “Për kryerjen me sukses të kursit të trajnimit nga kandidati, jo më pak se 15 ditë”

Detyrimet e SHRSF-ve
Të mos përdorin aktivitetin për të cilin janë licencuar për të krye, lehtësuar apo fshehur një veprimtari të kundërligjshme

Gjatë ushtrimit të veprimtarisë të mos kufizojnë apo cenojnë liritë e të drejtat e njeriut apo hapësirat dhe territoret publike

Të fillojnë veprimtarinë brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e licencës

Të mos u japë armë dhe municione, mjete të blinduara shtetasve të cilët nuk janë pajisur me leje përkatëse nga Policia e Shtetit
Të raportojë në strukturat e policisë për veprimtarinë e ruajtjes dhe sigurisë fizike që ushtron, në çdo tre muaj brenda datës 10 të muajit pasardhës
Të mbajë regjistra të protokolluar me të dhëna të plota për veprimtarinë që kryen, numrin e objekteve dhe punonjësve, armët dhe municionet, mjetet e shërbimit të miratuara nga Policia e Shtetit. Këto akte me regjistrimet përkatëse duhet të jenë në çdo moment të vlefshme për inspektim nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit.
Të marrë masat e nevojshme për sigurimin teknik në lidhje me armët dhe municionet, mjeket e shërbimit me qëllim parandalimin e aksidenteve, ngjarjeve të rënda për jetën, pronën, sigurinë
Të paguajë detyrimet financiare ndaj shtetit në afatin e përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi
Në çdo rast punësimi të personelit të shërbimit, duhet që më parë të ketë siguruar certifikimin e tyre nga organi përgjegjës.

Dokumentet
Për t’u pajisur me certifikatën e drejtuesit teknik për veprimtarinë e shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike, kandidati paraqet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit këto dokumente provuese:
Autodeklarim “Për drejtuesin teknik”, sipas formularit model!
Dokument identifikimi i njohur sipas legjislacionit në fuqi
Vetëdeklarim “Për verifikimin e gjendjes gjyqësore”
Kopje diplome të noterizuar që vërteton përfundimin e arsimit të lartë policor ose ushtarak
Vërtetim nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ose në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën e shërbimit në polici, gardës ose ushtri
Raport nga komisioni mjeko-ligjor, që është ia fto nga ana e shëndetit fizik dhe mendor
Fotografi të aplikuesit, 4 copë me përmasa 4x6 cm

Për t’u pajisur me cerfikatën “titullar i subjektit”, kandidatit duhet të paraqesë në DPPSH këto dokumente
Autodeklarimi “Për titullarin e subjektit”
Certifikatë e regjistrimi i subjektit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (biznesi)
Dokument identifikimi i njohur sipas legjislacionit në fuqi
Vetëdeklarim “Për verifikimin e gjendjes gjyqësore”
Fototgrafi të aplikuesit, 4 copë me përmasa 4x6 cm
Stema model e subjektit
Raport nga komisioni mjeko-ligjor, që është i aftë nga e shëndetit mendor dhe fizik

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›