E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtesat shtetërore, si mund të merren me qira



Emanuela Sako
Mjaft objekte shtetërore mund të jepen me qira për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme nga qiramarrësit. Për të marrë një objekt me qira, duhet që të gjithë aplikantët t’i nënshtrohen një konkurrimi ku do të jepen të gjitha të dhënat e tyre për përdorimin e objektit, sa metër katrorë do të merren, etj. Me vendim të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar tarifat që duhet të paguajnë qytetarët që kërkojnë të hapin një biznes apo aktivitet, sipas zonës dhe hapësirës që ata kërkojnë. Objektet mund të jepen me qira për një afat kohor nga një vit deri në 20 vjet. Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë për pasurinë shtetërore, me afat 1-vjeçar deri në 20 vjet, e ka institucioni që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit mbi të. Pronari mund të jetë bashkia, komuna apo ndonjë institucion tjetër që ka objektin në varësi.
Konkurrimi
Të interesuarit duhet të plotësojnë një formular me të dhënat e tyre dhe të dhënat e objektit që kërkojnë të marrin me qira. Më pas, ata duhet t’i nënshtrohen një konkurrimi mes grupeve të tjera të interesuara ku në varësi të plotësimit të kritereve do të dalë dhe fituesi. Konkurrimi i grupeve të interesuara është i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga institucionet përkatëse që kanë në varësi objektin. Elementet e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë: niveli i investimit, në pasuri të paluajtshme, për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200% e vlerës së objektit. Po kështu, duhet të deklarohet qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi, që do të bëhet në objekt, niveli i punësimit dhe tarifa e detyrimit mujor. Do të ndiqen procedura të tjera të dhënies me qira dhe enfiteozë të disa objekteve, si ndërtesa, truall i lirë funksional (jo nën ndërtesë), makineritë, pajisjet dhe linjat e prodhimit, sipas klasifikimit të tyre në kategori. Kështu, për sipërfaqet deri në 200 m2, të cilat nuk u nënshtrohen proceduarve të konkurrimit, drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira kryesisht njëvjeçare, të ndara sipas kategorive. Drejtuesit e ndërmarrjeve apo shoqërive, pasi të kenë përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, do të lidhin kontratat me subjektin që ofron vlerën më të lartë të qirasë për çdo ambient. Dokumentacioni i paraqitur duhet të përmbajë propozimin e ndërmarrjes për dhënien me qira sipas kategorizimit të veprimtarisë, genplanin e objektit, sipërfaqen e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqen e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë) i konfirmuar nga Urbanistika pranë bashkisë dhe drejtuesi i ndërmarrjes. Po kështu, një listë të plotë të makinerive e pajisjeve, linjave teknologjike, vlerën dysheme të detyrimit mujor, si dhe konfirmimin nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Të gjitha këto dokumente do të dorëzohen pranë Bashkisë së Tiranës. Për sipërfaqet mbi 200 m2, drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira. Lista e ambienteve të planifikuara, e shoqëruar me genplanet e miratuara për çdo ambient, duhet dërguar për miratim nga Këshilli Bashkiak. Pas miratimit në Këshillin Bashkiak, njoftimi për botim shpallet 4 herë në Buletinin e Njoftimeve Publike. Njoftimi do të përmbajë të dhënat për objektin, kategorizimin e veprimtarisë, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin e konkurrentëve, vendin, datën, orën. Data e konkurrimit do të jetë gjithmonë pas një muaji nga data e botimit të fundit.
Tarifat
Në bazë të vendimit të qeverisë, janë përcaktuar të gjitha tarifat se sa duhet të jepet me qira një objekt në bazë të metrave katrorë. Tarifa dysheme e detyrimit mujor për pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfiteozë, caktohet si shumë e tarifës për ndërtesë, truallin e lirë, funksional, linjat teknologjike, makineritë e pajisjet, galeritë etj. Të gjitha këto tarifa përcaktohen nga specialistët pasi është bërë vlerësimi i objektit dhe përcaktimi i veprimtarisë që do të përdoret. Për shembull, për sipërfaqen ndërtesë: brenda Unazës së vjetër të Bashkisë Tiranë jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj; ndërsa jashtë Unazës, brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë, jo më pak se 200 lekë/m2 në muaj. Për ndërtesat që do të përdoren si zyra, zyra doganore, dyqane “duty free” dhe agjenci shërbimi në aeroporte apo dogana, jo më pak se 2500 lekë/m2 në muaj. Ndërsa për truallin e lirë, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2 në muaj. Bashkia ka përcaktuar që për truallin e lirë, funksional, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20% e tarifës dysheme të detyrimit mujor. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës. Për terrenet sportive, tarifa dysheme e qirasë mujore është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit.

Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë dhe afatet e dhënies me qira i kanë:

Ndërmarrja, shoqëria apo institucioni shtetëror, i cili jep me qira, për një afat deri në 1 vit, objektet me sipërfaqe deri në 200 m2, (ku të jetë përfshirë edhe sipërfaqja funksionale), objektet voluminoze, si depozita, silloshe etj, me vëllim deri në 300 m3, si dhe makineri, pajisje, linja teknologjike, të shkëputura ose brenda këtyre sipërfaqeve.

Organi, që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore të ndërmarrjes, shoqërisë apo institucionit shtetëror, i cili jep me qira deri në 20 vjet sipërfaqe mbi 200 m2, objekte voluminoze, si depozita, silloshe etj, me vëllim mbi 300 m3, makineri, pajisje, linja teknologjike etj, brenda këtyre sipërfaqeve. Afati i lidhjes së kontratës, për sipërfaqet 200 m2 deri 500 m2 do të jetë deri në 10 (dhjetë) vjet, ndërsa për sipërfaqet mbi 500 m2 do të jetë deri në 20 (njëzet) vjet.

Të drejtën e lidhjes së kontratës së enfiteozës për pasurinë shtetërore, me afat deri në 20 vjet, e ka organi që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit mbi të.

Degët e shoqërive publike, pranë prefekturave, zbatojnë këto detyra:

Mbledhin të dhëna nga ndërmarrjet, shoqëritë a institucionet shtetërore për kontratat e lidhura dhe ndërhyjnë në rastet kur vërehen parregullsi në këto kontrata.
Raporton çdo tre muaj në Drejtorinë e Administrimit të Pronës Publike, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për kontratat e qirasë, të lidhura në prefekturën e tyre dhe për realizimin e derdhjeve të detyrimeve të qirasë dhe të treguesve të tjerë të kontratave të qirasë, sipas të dhënave të marra nga ndërmarrjet, shoqëritë a institucionet shtetërore që shtrihen në prefekturën përkatëse.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›