Të verbrit, dy muaj pa marrë pagesën, kryeministria fajëson Ministrinë e Punës
Jonida Tashi
Prej dy muajsh qindra të verbër në vendin tonë nuk kanë mundur të marrin dot pagesën që përfitojnë. Shkak për këtë situatë mësohet të jetë bërë mungesa e koordinimit midis Këshillit të Ministrave, që miraton fondet dhe Ministrisë së Punës që duhet të nxjerrë udhëzimin e posaçëm për kryerjen e pagesave. Ndonëse prej dita ditësh përfaqësuesit e të verbërve janë sorollatur nga një institucion në tjetrin për të mësuar se çfarë po ndodh me pagesat e tyre, ditën e djeshme, atyre iu është komunikuar nga Kryeministria se Këshilli i Ministrave e ka bërë miratimin e fondit të pagesave dhe se ata duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punës për zgjidhjen e këtij problemi.
Kërkesat
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, të verbrit kanë apeluar për të disatën herë për plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas kreut të Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, qeveria e ka lënë pas dore këtë kategori njerëzish në nevojë, pasi nuk ka plotësuar asnjë nga të drejtat që atyre u takojnë sipas ligjit dhe statusit që kanë. “Ne kërkojmë të na zbatohet e drejta për punësim, dhe lëvizja në rrugë, pasi janë një sërë masash që duhet të merren për të lehtësuar qarkullimin tonë në kushte të përshtatshme”,- ka deklaruar dje, Sinan Tafaj.
Konventa
Menjëherë pas deklaratës së kreut të të verbërve, Sinan Tafaj, se janë lënë pas dore nga qeveria, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kësaj të fundit, e cila nuk ka nguruar t’i lëshojë premtimet lumë, për plotësimin e kërkesave të tyre.
Ditën e djeshme, qeveria ka miratuar Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Por megjithë miratimin e këtij dokumenti mjaft të rëndësishëm ligjor për garantimin e të drejtave të mohuara deri më sot, personave me aftësi të kufizuara do t’u duhet të presin serish të kalojë edhe një vit, për t’u plotësuar kërkesat që ata kanë. Sipas zëvendësministres së Punës, Filloreta Kodra, duhet një vit kohë që të përfundojnë procedurat e ratifikimit të konventës për personat me aftësi të kufizuara.
4 Dhjetor 2009