Gripi i derrit; Valë e dytë, në shtator
“Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një valë të parë, e cila mendohet se është e lehtë, por që mund të rikthehet sërish me fillimin e sezonit të gripit”, - deklaroi drejtori i ISHP-së, z. Alban Ylli. Në çdo rast, specialistët nuk mendojnë se rreziku i përhapjes së sëmundjes në Shqipëri nuk ekziston. Përkundrazi, nëse vijon përhapja e sëmundjes me këtë intensitet, Shqipëria nuk mund të mos preket.
Gripi i derrave vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, por më e keqja duket se nuk ka ardhur ende. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo është vetëm vala e parë e përhapjes së kësaj sëmundjeje të re. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli, bëri të ditur dje se në bazë të raporteve të OBSH-së, duhet të presim një valë të dytë gripi përgjatë muajit shtator. Kjo, pasi stina e virozës gripale është drejt fundit dhe si pasojë mund të kemi një ulje të përhapjes së kësaj sëmundjeje, deri në shtator, kur virozat stinore rishfaqen.
“Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një valë të parë, e cila mendohet se është e lehtë, por që mund të rikthehet sërish me fillimin e sezonit të gripit”, - deklaroi drejtori i ISHP-së, z. Alban Ylli. Në çdo rast, specialistët nuk mendojnë se rreziku i përhapjes së sëmundjes në Shqipëri nuk ekziston. Përkundrazi, nëse vijon përhapja e sëmundjes me këtë intensitet, Shqipëria nuk mund të mos preket.
Të rrezikuar
Duke folur për mediat, Alban Ylli paralajmëroi se vendi ynë mund të ketë simptomat e para, të cilat mund të jenë të lehta në krahasim me vendet e tjera, si Meksika dhe Shtetet e Bashkuara. “Rastet e para mund të shfaqen nga vizita e një personi të infektuar në një qendër shëndetësore, ndonëse ne mund të presim që të kapet rasti i parë që në aeroport”, - deklarojnë specialist në ISHP.
Tashmë që situata e krijuar nga gripi i derrit po i afrohet pandemisë globale, Shqipëria është më e rrezikuar. Raste të dyshuara u shfaqën dje edhe në Maqedoni, ndërkohë që, sipas autoriteteve vendase, janë marrë të gjitha masat për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Dje, Instituti i Shëndetit Publik nisi të shpërndante një broshurë për të informuar të gjithë qytetarët për masat mbrojtëse që duhet të kenë parasysh qytetarët, si edhe për mënyrat e transmetimit të kësaj sëmundjeje.
Megjithatë, vetëm gjatë 14 orëve të para të ditës së djeshme u diagnostifikuan 74 raste të reja të prekurish me këtë virus, ndonëse asnjë rast i ri në Evropë. Në çdo rast, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se nuk është e gatshme të ulë nivelin e rrezikut, përderisa virusi vijon të përhapet edhe në shtete të reja. Deri tani, ka pasur raste të dyshuara në shumë vende të Evropës, por vetëm 6 prej tyre janë zyrtarizuar.
Në një raport urgjent të publikuar pasditen e djeshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje autoriteteve në mbarë botën që të kenë kujdes të veçantë me personat që janë të infektuar nga HIV-i. “Personat e infektuar nga HIV-i duhet të konsiderohen si me risk të lartë dhe grup me prioritet për të parandaluar sëmundjen dhe për të hartuar strategji shërimi ndaj gripit, përfshi këtu edhe gripin A (H1N1) [gripi i derrave]”, - këshilloi OBSH.
Sëmundja e re, e cila ka tronditur botën gjatë ditëve të fundit, duket se do të përhapet në masë më të madhe pas shtatorit. Gripi i derrave është një ndërthurje e gjeneve të gripit të derrave, të shpendëve dhe të njeriut, që nisi nga derrat. Kjo ndërthurje, që nuk ka ekzistuar më parë, i ka gjetur specialistët në mbarë botën të papërgatitur.
Durrës, blindohet porti
Njëkohësisht, masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë po zbatohen me rigorozitet në Durrës. Porti më i madh i vendit ndodhet prej ditësh nën kontroll të plotë nga strukturat e shtetit dhe nën masa të forta sigurie nga Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Shëndetit Publik. DSHP dhe DBU në Durrës kanë marrë masa për të bllokuar hyrjen e mishit të derrit me origjinë meksikane në portin më të madh të vendit. Nëpërmjet këtij porti hyn 70 për qind e sasisë së mishit të derrit, i cili përdoret në industrinë e prodhimit të sallameve apo tregtohet nëpër markete dhe supermarkete. Punonjësit e karantinës në port po monitorojnë situatën. Edhe pse subjektet shqiptare, si këtej dhe matanë kufirit, nuk importojnë mish derri nga Meksika, frika është se virusi mund të vijë nga Italia apo Greqia, vende të cilat importojnë nga Meksika sasi të mëdha mishi derri, thonë në DBU e Durrësit.
Në Portin Detar të Durrësit prej vitesh funksionon karantina për produktet ushqimore me origjinë shtazore dhe me origjinë bimore. Detyra e specialistëve të saj është kontrolli shkencor nëpërmjet analizave i të gjitha llojeve të ushqimit që importohen nëpërmjet portit të Durrësit. Jonuz Tafili, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Durrës, deklaroi për “standard”: “Ne po e monitorojmë me shumë kujdes situatën e krijuar nga gripi i derrave. Punonjësit tanë në port janë pajisur me doreza, pelerina dhe maska të cilat i përdorin kur marrin kampionët e mishit të derrit për analiza. Fatmirësisht, subjektet shqiptare nuk importojnë mish derri nga Meksika”.
Megjithatë, frika ekziston, pasi virusi i gripit të derrave mund të futet në vendin tonë nëpërmjet Italisë apo Greqisë. Këto vende importojnë nga Meksika në mënyrë sistematike mish derri dhe banorë të këtyre vendeve, që mund të infektohen nga ky virus, mund të hyjnë në vendin tonë si pasagjerë tragetesh apo si marinarë anijesh.
Për të parandaluar një situatë të tillë, ka hyrë në lojë Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës, e cila ka marrë masa dhe ka përforcuar shërbimet e kontrollit mjekësor në portin detar. Personeli mjekësor që shërben atje, ka marrë detyrë që të verifikojë imtësisht personat e sëmurë që hyjnë me anije e tragete në këtë port. Në bazë të Kodit Detar, janë vetë kapitenët e anijeve të cilët janë të detyruar të raportojnë gjendjen shëndetësore të ekuipazheve dhe të pasagjerëve që ndodhen në bordet e tyre.
Situata në botë
Në të njëjtën kohë, situata në botë po vazhdon të përkeqësohet. Vetëm në 14 orë, deri në mëngjesin e djeshëm, u diagnostifikuan 74 raste të reja të infektuarish, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e çuar numrin në 331 në mbarë botën, të shpërndarë në 11 shtete. “Qeveria amerikane ka lajmëruar 109 raste të prekurish, përfshi një të vdekur, ndërsa Meksika ka raportuar 159 raste të konfirmuara të infektuarish, përfshi edhe 9 të vdekur”, - bëri të ditur në informacionin e fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në të njëjtën kohë, janë shtuar rastet edhe në shtete të tjera evropiane, po pa pasoja vdekjesh. Shtetet e prekura janë Austria (1 rast), Kanadaja (34), Gjermania (3), Izraeli (2), Holanda (1), Zelanda e Re (3), Spanja (13), Zvicra (1) dhe Mbretëria e Bashkuar me 8 raste.
Gjithsesi, OBSH-ja vijon të këmbëngulë se situata nuk duhet të prodhojë alarme të kota, por duhet të paralajmërojë qytetarët për të marrë masa parandaluese. OBSH-ja këshillon shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Nga ana tjetër, sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë, të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.
Sakaq, OBSH-ja udhëzon qytetarët që të mos ndalojnë përdorimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit të derrit, pasi ato nuk shkaktojnë infektimin, nëse janë të gatuara mirë. “Individët janë të këshilluar të lajnë duart me sapun dhe ujë në periodicitet të rregullt dhe duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, nëse u shfaqet çfarëdolloj simptome e gripit”, - duke përfshirë këtu edhe gripin e zakonshëm, sipas OBSH-së.
Masat që duhet të marrim
Të mënjanohen kontaktet me njerëzit e sëmurë.
Në rast se jeni të sëmurë, të qëndroni në distancën nga të tjerët për t’i mbrojtur ata. Qëndroni në shtëpi mos shkoni në punë, shkollë dhe mos dilni nëse jeni të sëmurë. Lajmëroni menjëherë mjekun.
Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini. Mos pështyni në tokë.
Hidhini shamitë e pështjella në koshin e plehrave
Lani sa më shpesh duart me ujë e sapun, sidomos pasi jeni kollitur apo keni teshtirë. Larja e duarve me alkool është gjithashtu e efektshme.
Mos prekni sytë, hundën dhe gojën. Mikrobet përhapen kur një person prek sipërfaqe të ndotura me mikrobe.
Pastroni sipërfaqet dhe dezinfektoni mjediset, sidomos atje ku ka të sëmurë.
Simptomat
Temperaturë
Shenja respiratore si kollë apo rrjedhje të hundëve
Dhimbje fyti
Shenja të tjera
Dhimbje trupi
Dhimbje koke
Ethe
Lodhje
Të vjella dhe diarre