Pensionet, Koldashi: Pensionet e qytetit rritje 46%, të fshatit 100%
Pensionistët shqiptarë që kanë nisur të tërheqin pensionet nga data 1 maj, kanë tërhequr dhe vlerën e kompensimit që iu takon, si dhe përqindjen e rritjes që u është bërë nga fillimi i këtij muaji. Krahasuar me vitin 2005, pensionet minimale në qytete janë rritur 46 për qind, ndërsa pensionet minimale të fshatit, krahasuar me vitin 2005, në 2009 janë rritur me rreth 100 për qind. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, në një konferencë shtypi ka zbardhur skemën e re të pensioneve, që ISSH ka nisur ta zbatojë nga data 1 maj
Duke nisur nga dita e djeshme, ata pensionistë që kanë pasur datën e pensionit, kanë tërhequr në këtë muaj edhe rritjen që pensioni ka pësuar, pasi ka hyrë në fuqi vendimi për rritjen e tyre. Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore deklaroi dje për median se më 1 maj nisi shpërndarja e pensioneve të rritura, si dhe kompensimi i tyre për disa kategori. Pas katër vitesh qeverisje, nga viti 2005 në vitin 2009, pensioni i qyteti dhe ai i fshatit është rritur ndjeshëm. Vetëm pensioni minimal i qytetit është tani rreth 46 për qind më i lartë sesa ishte në vitin 2009 dhe pensioni minimal i fshatit tani është rreth 100 për qind më i lartë sesa ishte në vitin 2005. “Jam këtu për të ndarë me ju informacionin se ISSH ka përfunduar llogaritjet dhe ka nisur që sot (dje) shpërndarjen lidhur me rritjen e pensioneve në masën 8% për pensionet e pleqërisë së qytetit, 10% për pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit, rritjen në masën 22% për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat, si dhe rritjen me 4% për të gjitha pensionet suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake. Ndërsa trajtimi i veçantë i ish-punonjësve të nëntokës është rritur në masën 10%”, - ka sqaruar Kolldashi. Pensionistët do të tërheqin pensionin dhe do të përfitojnë vlerën e rritjes së tij sipas kategorisë që bëjnë pjesë në datën që kanë të caktuar për të tërhequr pensionin mujor. Nga ana tjetër, veç rritjes së pensionit, disa kategori pensionesh përfitojnë edhe kompensim. “Dua të theksoj se të gjitha pensionet minimale të pleqërisë shtet, përveç rritjes 8%, përfitojnë dhe një kompensim prej 190 lekësh, duke e çuar rritjen reale të të ardhurave minimale të pensionistit në masën 10%”, - sqaroi Koldashi. Sipas saj, në këtë kategori pensionesh përfitojnë 126.177 persona. Kështu, me këtë rritje dhe shtesën, të ardhurat minimale të pensionistëve që marrin pension të plotë pleqërie bëhet 12.226 lekë. Ndërsa kompensimin deri në masën 190 lekë do ta përfitojnë edhe pensionet e pjesshme të pleqërisë shtet. Ky kompensim u jepet në proporcion me masën e pensionit që ata kanë. Koldashi sqaroi ndër të tjera se ky kompensim i bën këto pensione që të përfitojnë një rritje reale të të ardhurave në masën 10%. Në këtë kategori përfitojnë 44.077 persona. Sipas Koldashit, kompensimin në masën deri në 190 lekë e përfitojnë 203.850 pensionistë.
Pra, në total, nga rritja më e fundit, përfitojnë 283.702 pensione pleqërie urbane, 41.000 pensione invaliditeti urbane dhe 49.619 pensione familjare urbane. Ndërsa në fshat përfitojnë 142.786 pensione pleqërie, 5.467 invaliditeti dhe 11.333 pensione familjare.
“ISSH thekson se rritja e pensioneve nuk cenon asnjë prej kompensimeve që janë dhënë gjatë periudhave të mëparshme. Pra, të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç kompensimeve të përfituara me vendime të veçanta të qeverisë, do të përfitojnë edhe rritjen më të fundit që ka filluar që sot në të gjitha zyrat postare”, - ka theksuar Koldashi. Duke iu referuar rritjeve që ka përcaktuar qeveria, tashmë të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 12.226 lekë në muaj. Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk mund të jenë më të vogla se 7.234 lekë në muaj. Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet bëhen 21.052 lekë.
Nga kjo rritje, do të transferohet drejt buxheteve familjare të pensionistëve shuma prej 4.412 milionë lekësh, fond i cili është vënë në dispozicion të ISSH-së nga qeveria.
“Ndërkohë, me të gjithë ju, do të dëshiroja të ndaja edhe ecurinë në vite të rritjes së të ardhurave të pensioneve gjatë periudhës korrik 2005–maj 2009. Të ardhurat e plota minimale në qytet në vitin 2005 ishin 8.350, ndërsa nga sot bëhen 12.226 lekë. Pra, kemi një rritje në të ardhurat për 3.876 lekë në muaj, ose 46.4% krahasuar me vitin 2005.
Të ardhurat minimale për pensionet e plota në fshat ishin 3.630 lekë, ndërsa nga sot bëhen 7.234 lekë. Pra, kemi një rritje në të ardhurat 3.604 lekë në muaj, ose 100% krahasuar me vitin 2005”, - ka theksuar Koldashi.