ISHP gjobit 41 subjekte për shkelje të ligjit të punës
Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) ka gjobitur deri tani 41 subjekte për shkelje të legjislacionit të punës. Gjatë tre muajve të fundit ISHP ka kontrolluar 25 për qind subjekte më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga kontrollet e ushtruara, për shkelje të legjislacionit të punës janë gjobitur 41 subjekte me vlerë totale 8.127.000 lekë.
Sipas ISHP, një aspekt tjetër i rëndësishëm i inspektimeve të kryera është dhe hetimi i aksidenteve në punë. Në këtë fillimviti janë regjistruar 16 raste aksidentesh, që lidhen direkt me punën, nga të cilat tre raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësit. Kryesisht këto aksidente kanë ndodhur në sektorin e ndërmarrjeve prodhuese, ndërtim dhe tregti karburantesh. Ndërkaq në sektorin e minierave janë regjistruar 7 raste aksidenti me dëmtim të punëmarrësve, ndërsa 2 raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësve. ISHP vlerëson se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vihet re një ulje e numrit të aksidenteve në punë. Në total gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 janë regjistruar 27 të aksidentuar, nga të cilët 7 kanë humbur jetën, nga 61 aksidente të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga të cilët 10 me pasojë humbje jete.