E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit e rinj "mësyjnë" në Drejtorinë Arsimore

Ndonëse është mesi i muajit të pushimeve, nuk është e tillë situata për ata që presin të fillojnë punë si mësues në shkollat e Tiranës. Janë me qindra dosjet e dorëzuara në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës, ku përjashtim nuk bën as ajo e rrethit dhe as e qytetit. Të dyja përballen me një fluks të madh të interesuarish për një vend pune. Por mundësitë duket se janë minimale në raport me kërkesat. Shpresa më e madhe për kandidatët e rinj për mësues, apo ata që kërkojnë të transferohen nga njëri qytet në Tiranë, apo nga njëra shkollë e sistemit 9-vjeçar në atë të mesme, si mundësinë më të madhe konsiderojnë mësimdhënien në vitet e para të gjimnazeve. Ndonëse një pjesë e shkollave të kryeqytetit bëjnë të ditur se mund të mbulojnë në pjesën më të madhe të rasteve me stafin aktual edhe ngarkesën e viteve të para sërish nevoja ka. Vitin e kaluar në shkollat e mesme nuk kishte vite të para për shkak të ndryshimit të sistemit nga tetë në nëntëvjeçar. Por këtë vit, situata duket më e favorshme për arsimtarët, si për kandidatët e rinj që sapo kanë përfunduar studimet ashtu edhe për të transferuarit.

Përfaqësues zyrtarë të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës pohojnë se numri i dosjeve me kërkesa për punësim në njërën nga shkollat e kryeqytetit sa vjen dhe shtohet çdo ditë. Nga ana tjetër, ata pohojnë se punësimi i të gjitha këtyre kërkesave është plotësisht i pamundur.

Mësohet se numri më i madh i aplikimeve për një vend pune në këtë drejtori është nga femrat. Ato kanë përfunduar studimet në degët e Gjuhës dhe Letërsisë, Historisë, Gjeografisë, Shkencat Sociale si Filozofi apo Sociologji e natyrisht nuk mungojnë as të sapodiplomuarat në shkencat ekzakte, si Matematikë, Fizikë, Kimi etj.

Në drejtori mësohet gjithashtu, se shqyrtimi i kërkesave në arsim, si dhe dosjet e reja do të fillojnë të "shoshiten" në ditët e para të shtatorit. Muaji gusht, si periudhë pushimesh nuk ka qenë edhe aq intensiv për Drejtorinë Arsimore në Tiranë ashtu sikundër edhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e punonjësve kanë marrë lejen vjetore.

Megjithatë, një grup pune në këtë institucion është ende duke punuar për t‘u dhënë drejtim punëve të shpërndarjes së stafit mësimor në vitin e ri shkollor.

Nga ana tjetër, në drejtorinë arsimore kryeqytetase nuk mungojnë as dosjet apo kërkesat e arsimtarëve, të cilët për një arsye ose një tjetër kanë lënë vendbanimet e tyre të mëparshme dhe kanë vendosur të jetojnë në Tiranë, e për rrjedhojë edhe të punësohen në profesionin e tyre në metropol.

Zyrtarë të arsimit pohojnë se menjëherë sapo të përfundojë sistemi i mësuesve aktualë në të gjitha shkollat e sistemit bazë dhe parauniversitar, do të shihen mundësitë për punësime të reja. Por, për këto, shprehen të njëjtët zyrtarë, rregullat janë të përcaktuara me ligj. Të gjithë ata që do të punësohen në sistemin arsimor kryeqytetas duhet t‘i nënshtrohen më parë testimit. Vetëm një numër i caktuar, që do të jetë i barazvlefshëm me nevojat, do të marrë emërimin për të dhënë mësim në njërën nga shkollat e Tiranës. Testimi, përveç paraqitjes së CV-së personale konsiston edhe në një pyetësor që provon dijet dhe aftësitë e kandidatëve. Gjithashtu, kualifikimet pasuniversitare dhe botimet individuale ose në grup kanë vlerë në konsiderimin e përgjithshëm të secilit kandidat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›