E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi, për Maqedoninë nuk ka krizë

Zyra e statistikave në Maqedoni njoftoi dje se numri i turistëve të huaj në këtë vend është rritur me 20 për qind gjatë muajit korrik, ndërkohë që gjatë gjashtëmujorit të parë ishte regjistruar një rritje prej 10 për qind, pavarësisht krizës aktuale botërore. Gjatë të njëjtës periudhë, zyrtarët raportuan një rënie të numrit të turistëve vendas me rreth 5 për qind.

Maqedonia ka një aktivitet të vogël turistik të përqendruar te turizmi dimëror malor, si edhe te zona turistike në liqenin e Ohrit, ku sezoni turistik me drejtim plazhin, zgjat rreth një muaj. Gjatë vitit të fundit, qeveria maqedonase nisi një fushatë promocionale për të tërhequr turistë të huaj në disa nga televizionet kryesore botërore, përfshirë CNN. Pjesa më e madhe e turistëve është regjistruar në qytetin e Ohrit, një zonë muzeore e mbrojtur nga UNESCO.

Të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë raportuar rënie të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj, me përjashtim të Shqipërisë, ku mungon një sistem i besueshëm i grumbullimit të statistikave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›