E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria lë pa lekë foshnjat e sapolindura

Janë të pamjaftueshme fondet për shpërblimin e familjeve që kanë sjellë në jetë një fëmijë. Sipas drejtueses së Departamentit të Financës në Bashkinë e Fierit, Antoneta Dhima, fondi i akorduar nga qeveria është vetëm 500 mijë lekë të reja, dhe sipas ligjit vetëm 100 familje mund të shpërblehen. Ndërkohë që, numri i familjeve që kanë sjellë në jetë një bebe është 350.

Ka shumë familje në Fier, të cilat kanë mbi një vit që nuk e kanë përfituar shpërblimin në fjalë. Fondi që duhet për shpërblimin e të gjitha familjeve që kanë sjellë në jetë fëmijë shkon në 3 milionë e 500 mijë lekë të reja.

"Nga ana e qeverisë i janë akorduar Bashkisë së Fierit, 500 mijë lekë të reja për të përballuar shpërblimet e lindjes së fëmijëve të regjistruar për herë të parë në gjendjen civile. Aktualisht, nevojat për Bashkinë e Fierit janë për 350 raste. Fondi i akorduar nga ana e ministrisë është i pamjaftueshëm për të përballuar këto shpenzime. Ne i kemi njoftuar familjet që kanë regjistruar fëmijët e tyre deri më 31 dhjetor të vitit 2008, por si shkak i fondeve të palëshuara prej qeverisë nuk po mundim t‘i shpërblejmë ata", ka deklaruar Dhima për gazetën "Shqip".

Sipas drejtoreshës së Departamentit të Financave, të bashkisë, fondi i akorduar, me gjithë kërkesat e vazhdueshme, mbulon vetëm 100 raste nga numri real i atyre që kanë aplikuar për këtë shpërblim. "Në qoftë se nga ana e qeverisë do të akordohen fonde të tjera shtesë për këto shpenzime, ne do t‘i shpërndajmë. Në kushtet e sotme, nuk mund të kryejmë asgjë për fëmijët e porsalindur", ka thënë kryefinancierja e bashkisë, Antoneta Dhima.

Ndërkohë që janë bërë ankesa dhe kërkesa të vazhdueshme nga Bashkia e Fierit pranë Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Financave, por sërish problemi mbetet i njëjtë. Nga ana tjetër, qytetarët me të drejtë gëzojnë vetëm fëmijën, edhe pse shpërblimi që i takon atij me ligj nuk i jepet nga qeveria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›