E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, në botë të paktën 700 të vdekur

Si pasojë e përhapjes së gripit te derrit, numri i rasteve të konfirmuara në Slloveni, ka arritur në 72. Sipas burimeve mediatike shumica e tyre janë infektuar me virusin H1N1 jashtë Sllovenisë. Të gjitha rastet e gripit në Slloveni janë të formës së lehtë dhe trajtohen në shtëpi. Por gjatë stinës së verës, autoritetet shëndetësore në Slloveni parashikojnë rritje të numrit të të infektuarve për shkak të udhëtimeve më të shpeshta jashtë vendit. Së fundmi kompanite angleze të udhëtimit ajror kanë vendosur të mos lejojnë personat e verifikuar si të infektuar me virusin e gripit të derrave të udhëtojnë si masë ndaluese ndaj përhapjes së mëtejshme të H1N1. Në Britaninë e Madhe janë regjistruar 29 të vdekur ndërsa pritet të shtohet gjithnjë e më tepër numri i të prekurve nga virusi. Britania është vendi i parë më i prekur në Europë dhe i treti në botë, pas SHBA-së dhe Meksikes. Virusi A/H1N1, i njohur si gripi i derrit, ka prekur të paktën 46 fëmijë në një shkollë në Dyseldorf, në perëndim të Gjermanisë. Pak kohë më parë organizata botërore e shëndetësisë e shpalli këtë sëmundje si pandemi. Ky hap u ndërmor pas shqyrtimit të situatës së përkeqësuar në SHBA, Europë, Australi, Amerikën Jugore dhe në vende të tjera, ku numri i të infektuarve rritet nga dita në ditë. Sipas të dhënave të OBSH-së, 75 shtete në botë kanë njoftuar për 27.737 raste të të sëmurëve nga gripi i ri, prej të cilëve të paktën 700 kanë humbur jetën. Më herët u paralajmëruar nga ekspertët se parashikohej se gripi i derrave mund të prekë 1/3 e popullsisë së botës. Ekipet kërkimore thonë se gripi ka potencialin e një pandemie, që përhapet mes njerëzve dhe që mund të marrë përmasa globale brenda 6-9 muajve. Një në tre persona mund të infektohen, sipas studimit të publikuar në revistën "Science". Sipas ekspertëve, është ende herët të thuhet nëse virusi do të shkaktojë vdekje në shkallë masive, ose nëse do të jetë pak me vdekjeprurës se gripi normal. Profesori Neil Ferguson thotë se duke analizuar përhapjen e sëmundjes në Meksikë, virusi H1N1 është po aq i rrezikshëm sa pandemia e vitit 1957, që shkaktoi 2 milionë të vdekur në botë, por jo sa gripi spanjoll i vitit 1918, që shkaktoi 50 milionë viktima.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›