E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, në dy javë infektohen 80 persona

TIRANE-Sipas specialistëve të Shëndetësisë, brenda pak ditësh do të rinisë vala e dytë e gripit të derrit. Në favor të tij pritet të jetë edhe moti, sepse temperaturat dita-ditës po pësojnë ulje, ndërkohë që pritet që këtë javë temperaturat në vend të shkojnë nën zero. Për këtë arsye, mjekët më tepër kanë frikë një ndërthurje midis gripit stinor dhe atij të derrit. Ndërkohë që pritet që javët e fundit të janarit dhe fillimi i shkurtit të jetë më i rëndë për sa i përket përhapjes së gripit të derrit në vendin tonë, edhe gjatë dy javëve të para të janarit janë infektuar 80 persona. Sipas mjekëve, ata kanë shfaqur simptoma mesatare të gripit. Për arsye se pritet një valë tjetër e infektimit nga virusi A/H1N1, autoritetet shëndetësore bëjnë apel që qytetarët, ata persona që janë të rriskuar, të bëjnë vaksinën kundër gripit të derrit. Gjatë valës së parë të gripit të derrit në vendin tonë, e cila ishte në periudhën nëntor-dhjetor, u infektuan me qindra persona, ku dhe 12 prej tyre humbën jetën. Midis tyre ishin edhe dy gra shtatzëna në moshë shumë të re. Personat që humbën jetën, veç gripit të derrit, vuanin edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për këtë arsye, mjekët sqarojnë se gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike janë kategoritë më të rriskuara, ndaj duhet të bëjnë kujdes të madh për shëndetin e tyre. Situata epidemike në lidhje me gripin e derrit, në fund të muajit janar do bëhet më e vështirë. Kjo, për shkak se në fund të këtij muaji do të nisë edhe faza e dytë e infektimit. Kjo gjë është konfirmuar nga drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili ka theksuar se rritja e të infektuarve do vihet re dhe në vendin tonë gjatë javës në vijim. "Aktualisht, situata e gripit të derrit është e qetë, relativisht. Them relativisht, sepse orientimet e OBSH flasin që në fund të janarit do ketë një valë të dytë, e cila sapo i ka dhënë shenjat e para në hemisferën tjetër, në Amerikë dhe Kanada. Ndaj, them se është e qetë aktualisht, sepse në ditët në vijim do ketë një situatë më të rëndë", - ka sqaruar Pipero. Ndër të tjera, Pipero ka thënë se aktualisht janë dy persona në moshë të re, në gjendje kritike për jetën në spitalin e mushkërive, në Sanatorium, për të cilët stafi mjekësor po bën të pamundur për t'u shpëtuar jetën. Pak ditë më parë, Pipero ka theksuar se interesi i qytetarëve për vaksinën është i ulët. Sipas tij, qytetarët, por edhe stafet mjekësore, po neglizhojnë për kryerjen e kësaj vaksine. Deri më tani është përdorur më pak se 10 për qind e dozës totale të vaksinave që kanë ardhur në vend.(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›