“Pacientët mos shkojnë në privat, por të sigurohen”
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Një mori problematikash që lindin në shërbimin dytësor menduam ti trajtojmë këtë numër me drejtorin e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr. 3, Artan Haruni. Ai na garantoi se për çdo problem që pacientët hasin, të drejtohen tek ai dhe se tani gjërat janë vënë në rrugë. Korrupsioni është minimizuar në maksimum me vendosjen e tarifave zyrtare. Më poshtë, ai shpjegon situatat që orientojnë pacientin dhe rastet se kur ai ka të drejtë të shkojë në spital.
-Sa qendra shëndetësore kanë të drejtë të rekomandojnë pacientët e tyre të marrin shërbim tek Poliklinika juaj e specialiteteve?
Janë 12 qendra shëndetësore të qytetit të Tiranës dhe të disa të fshatrave, përkatësisht 4 QSH të Tiranës dhe 6 të komunave.
-Duke patur parasysh kohën që u duhet pacientëve që vijnë nga fshatrat, a ka ndonjë avantazh në shërbimin që u ofrohet atyre, (në çështjen e kohës)?
Nuk ka lindur ndonjëherë si problem. Ne u mbarojmë punë të gjithëve. Unë kam bërë një gjë të tillë, që kam organizuar në lloj radhe të pritjes, jo për çdo shërbim, por për ato që kanë radhë, si përshembll, tek EKO. Dhe ne kemi bërë që njerëzit të rregjistrohen, sepse kështu është edhe urdhëresa dhe të mos presin kot.
-Këtu tek ju njerëzit marrin shërbimin dytësor. Në cilat raste ju i referoni në spitale? Sepse sot portat janë mbyllur në spitale dhe qytetarët duhet ta dinë se si dhe kur u takon të kërkojnë vizitën e specialistëve të “Nënë Terezës”
Kur pacienti ka rekomandim nga ne, e ka të hapur derën e spitalit. Në këtë rast ai quhet i referuar. Ne jemi referim për spitalin, jo mjeku i Parësorit (pra i familjes). Por në rast se pacienti shkon direkt në spital, pa kaluar nga sistemi i referimit Parësor dhe Dytësor, atëherë ai e ka anashkaluar sistemin e referimit dhe i duhet të paguajë.
-Atëherë, në cilat raste ju e referoni në spital?
Ne e dërgojmë në spital, në rastet kur pacienti ka nevojë për një mendim më të specializuar, për një konsultë, për një ekzaminim që nuk bëhet tek ne, por bëhet në spital si dhe për rastet që i gjykojmë për shtrime, i referojmë në spital.
-Të pasiguruarit, një pjesë e tyre janë shtresat e margjinalizuara të shoqërisë dhe për këtë arsye e kanë të pamndur të detyrojnë punëdhënësit që ti sigurojnë apo të gjejnë një punë të qëndrueshme. Çfarë komenti keni për ndëshkimin e kësaj kategorie me këto politika tarifore?
Pacienti i pasiguruar në radhë të parë shkon në qendrën shëndetësore ku i takon, të qytetit apo të fshatit. Atje duhet ta kërkojë ndihmën e parë Ne jemi një shkallë më larg. Tek Parësori mund të interesoheni se si e kanë zgjidhur me këta pacientë, pasi këtu tek ne duhet të vijnë të referuar.
-Kur të pasiguruarit pranohen direkt tek mjeku specialist, pa qenë më parë tek mjeku i lagjes, nuk tregon kjo indirekt, një lloj deformimi të qëllimit për të cilin është krijuar Parësori, për të orientuar pacientët? (Shohim këtu dy palë standarde, për të siguruar e të pasiguruar…)
Ju investigoni nga ana juaj si gazetare, por kjo është një çështje që u takon politikbërësve. Unë jam në rolin e një manaxheri. Mua më intereson që të menaxhoj këtë qendër, që këtu të mos më mungojë asgjë. Dhe mua më rezulton se sistemi i referimit ka qenë i suksesshëm.
-Mendoni se një pjesë e të pasiguruarve ju rrjedhin në klinika private, pikërisht për shkak të tarifave të reja, shumë të larta, që janë vendosur?
Absolutisht, kjo nuk ndodh, sepse sistem referimi janë qendrat shëndetësore shtetërore. Unë mendoj se pacienti herën e parë do të shkojë në klinikën private, por herën e dytë do të mendoj mirë, “përse të paguaj dy herë në një klinikë private, qoftë edhe këtu tek ne, kur fare mirë i intereson të sigurohet dhe të mos paguaj më.
-Nga pajisjet që ju nevojiten si poliklinikë e specialiteteve, i keni të gjitha?
Pas rikonstruksionit të godinës, hapi i dytë është pajisja me aparatura nga Kooperacioni Italian. Me sa di unë, janë në procedurat e tenderimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Na është premtuar që do të vijnë aparatura shumë të mira dhe kjo do të jetë një poliklinikë model. Si godinë është shumë funksionale dhe aparaturat që do të vijnë, do të jenë shumë moderne.
-Si po i përdoni të ardhurat dytësore që ju janë shtuar me këtë mënyrë të funksionimit të sistemit të vizitave?
Të ardhurat dytësore i përdorim për plotësimin e nevojave të poliklinikës, gjithmonë me miratim bordi. Ne bëjmë një kërkesë në bord për një zë të caktuar.
-Sa është afati i vlefshmërisë së rekomandimit me të cilin ju vijnë pacientët nga ambulancat e lagjeve? Brenda sa ditësh duhet ta shfrytëzojë qytetari këtë rekomandim?
Nuk ka ndonjë afat. Pacienti edhe po të vijë me rekomandim pas një jave, e merr shërbimin. Rekomandimi është një çek, i cili nuk ka ndonjë afat kohor. Ai po të jetë i pakonsumuar, pacienti vjen dhe mbaron punë.
-Për këtë që sapo thatë, ne në rastin më të parë që do të konstatojmë, se ndodh ndryshe, do të vijmë tek ju, sepse ne dimë që ndodh edhe ndryshe; pacienti është kthyer mbrapsht edhe kur në mes kanë qenë ditët e pushimit. Dhe ai me të drejtë do të dyshojë, se kjo mungesë elasticiteti apo shpallje pavlefshmërie e rekomandimit, bëhet për qëllim përfitimi…
Nëse ndodh një rast i tillë, bëni mirë të më informoni, sepse ky është problem i mjekëve. por nuk besoj se e bëjnë për përfitim. Por nëse dini, nëse më vijnë dhe më thonë, atëherë do të marrë masa deri në pushim nga puna.
-Të flasim për rikontrollet., të cilat kryhen në periudha të caktuara në varësi të diagnozës. Ka raste që pacienti ka nevojë të marrë shërbim çdo javë. A e njihni ju rekomandimin e lëshuar më parë për këtë kategori pacientësh?
Pacientin e ndjek mjeku i familjes për çdo problem. Për një problem të caktuar ai e dërgon tek mjeku specialist, përshembull, tek neurologu. Mjeku specialist ia kthen mjekut të familjes që të vazhdojë trajtimin, Dhe rikontrollet i kërkon mjeku i familjes, sa herë që i duhet atij. Unë vetë jam neuropsikiatër. Unë përcaktoj ekzaminimet, mjekimet që duhet të bëjë pacienti, pastaj pacientin e ndjek mjeku i familjes.
-Duam një përcaktim ashtu siç njihet zyrtarisht
Atëherë, nga ana zyrtare, pacienti i kthehet mbrapsht mjekut të familjes në çdo rast. Rekomandimi duhet marrë çdo herë nga e para. Mund të duket pak burokratike, por burokracia tregon rregull.
-Sa është koha e mbylljes së një vizite, analize apo akzaminimi?
Për çdo pacient ne plotësojmë një formular vizite, që nga ky vit është futur në kontratë. Këtu, çdo gjë shënohet me kode dhe kohëzgjatja e vizitës varion: më pak se 10 minuta, 10-20 minuta dhe mbi 20 minuta.
-E kishim fjalën për mbylljen e takimit, për planifikimet
Zakonisht mbarojnë punë brenda ditës. Shumë- shumë, laboratori mund të thotë për të ardhur nesër. Ne flasim për planifikime orare këtru,jo për planifikime ditore.
Shërbim i privilegjuar
Ashensorët e poliklinikave me çelës, pacientët e moshuar duhet të jenë të sëmurë rëndë
Ashensorët e qendrave shëndetësore mbahen me çelësa. Së paku në dy prej tyre, që ne i kemi vizituar. Drejtorët e QSH-ve janë shumë meraklinj se mos ata prishen. Për këtë arsye, kanë urdhëruar hapjen e tyre vetëm për të sëmurë rëndë, që duken që tej që nuk ngjiten dot me këmbët e tyre. Kur pacientët e kërkojnë, nga goja e infermiereve dëgjojnë shprehje të llojit: “Është prishur” ose “Nuk je ti për ashensor”. Pacientët që janë së shumti të moshuar, edhe pse plotësojnë kriterin moshë dhe diagnozë, në qendrat shëndetësore duhet të marrin përpjetë shkallët. Ata që kujdesen për shëndetin e tyre, e dinë se u bën mirë pak fizkulturë. Në Qendrën Shëndetësore nr. 2 (specialitetet) dhe 9 (e lagjes), ishte e shkruar: “Ashensori është vetëm për të sëmurët rëndë”. Cilët janë të sëmurët rëndë? A ka diagnoza të shkruara në ballë të pacientëve që tu jepet e drejta e ashensorit?
Drejtoresha e qendrës nr. 9, Mariana Pano, tha se po mundohen ta ruajnë, sepse këtu ka shumë hyrje-dalje dhe prishet, ngjiten fëmijë, ngjiten ata që vijnë për të marrë raportet për automjetet…”Prandaj nuk mund ta mbajnë hapur, jo se na ka urdhëruar njeri”. Ndërsa drejtori i Qendrës së Specialiteteve nr. 3 tha se kur e kërkojnë vetë pacientët, ua hapin ashensorin. “Ashensori funksionon, por është me çelës se kështu e ka bërë kooperacioni Italian, - thotë Artan Haruni.-. Kjo nuk është e shkruar,- thotë ai,- por unë nga pikëpamja menaxheriale e mbaj sikur ta kisha personal, sepse nuk dua të më dëmtohet. Ne kemi rojen, i cili sa herë shikon që një person është i pamundur, ka çelësat e ashensorit dhe do tia hapë. “Të gjithë ata që vijnë këtu, janë pacientë. Ju e keni kufizuar tek invalidët, por njerëzit që ju vizitoni, janë jo vetëm pacientë, por janë në pjesën më të madhe , të moshuar, me zemër, me tension, me gonartrozë etj.”, i themi. “Tensioni është në kat të parë, ne kur kemi bërë ndarjen e dhomave, e kemi patur parasysh”, thotë ai. Por duket se drejtoria nuk ka patur parasysh se pacienti me tension dhe me zemër do të ngjitet në katet e sipërme kur të vizitohet për një sëmundje tjetër. Drejtor Haruni mundohet ta shpjegojë kyçjen e ashensorit me projektimin e tij: “Ashensorin e ka bërë kooperacioni italian me çelës. Shkoni i pyesni ata, pse e kanë bërë me çelës? Si të bëjmë ne, ta heqim çelësin?” “Po, ta hiqni çelësin, përderisa nëpër pallate dhe institucione, ku ngjiten e zbresin njerëz të shëndoshë, nuk mbahen me çelësa”. “Atëherë, do ta mbajmë në konsideratë këtë që thoni ju”, përgjigjet drejtori Haruni, ndërsa.ne na mbetet vetëm të shohim më tej konsideratën e tij.
I siguruari pa rekomandim gjithashtu paguan
I pareferuari dhe i pasiguruari nuk janë e njëjta gjë. Por këtu merr shërbim ai që është i referuar, jo që është i siguruar. Pacienti mund të jetë i siguruar, por nëse është i pareferuar nga mjeku i lagjes duhet të paguajë. Ne i themi personit të siguruar, se duhet të shkojë tek mjeku i familjes për rekomandim, ose i tregojmë se në cilën poliklinikë specialitetesh i takon ta marrë shërbimin.
Tarifa e Mamografisë
Në vend të parandalimit falas, ekzaminim me para i kancerit të gjirit
Kanceri i gjirit është kanceri më agrosiv dhe që shkakton më shumë vdekje në botë dhe në Shqipëri. Shkalla e lartë e përhapjes së tij ka sensibilizuar organizma ndërkombëtarë për nevojën e parandalimit dhe të kapjes në kohë të tij. Për këtë arsye, gratë duhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme edhe falas. Porn ë Shqipëri, gratë nuk e kanë këtë luks, që kur u mbyll projekti i çelur vite më parë nga të huaj. Mamografia e cila do të ndihmonte në zbulimin që në faza të hershme të kancerit të gjirit, nuk është falas. Ajo tarifohet prej 1000 lekësh të rinj. Dhe ky ekzaminim rekomandohet të bëhet nga një herë në 6 muaj, deri në një herë në 1-2 vjet. Për këtë neglizhim të shtetit tonë jo vetëm shëndeti i grave, por edhe arka e shtetit do të vuante më shumë më pas, pasi kurimi i kancerit është shumë më i kushtueshëm sesa parandalimi fillestar i tij. Për më tepër, drejtori i QSH të Specialutetev nr. 3 thotë: “Mamografia nuk ofrohet ende si shërbim tek ne. Ka qenë një projekt që u mbyll si i tillë. Madje, ai projekt, edhe mjekët i kishte të ardhur nga jashtë.Ajo si aparaturë nuk është bërë ende e jona. E ka ende Kooperacioni Italian dhe kanë ndër mend ta japë, por tani aparatura duhet edhe të montohet dhe specialistët italianë duhet të vijnë ta asamblojnë ”
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010