E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mesuesit e shkollave profesionale pa arsimin e duhur”

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Kreu i arsimit Myqerem Tafaj ka folur dje për refromin në shkollat e mesme profesionale ekonomike. Sipas tij ky reformim do të përfshijë jo vetëm punësimin nxënësve pasi mbarojnë shkollën, por edhe arsimtarët, të cilët sipas tij nuk kanë kualifikimin e duhur për të dhënë mësim në shkollat e mesme profesionale ekonomike.
Ministri Tafaj
“Gjatë studimeve universitare mund të kem pasur rastin të kem përfituar pak në didaktikë ose aspak, por përvoja e vendeve të tjera ka treguar se çdo i dilplomuar me një formim të mirë universitar është i aftë që brenda një kohe të shkurtër me një kualifikim të organizuar mirë në didaktikë, në pedagogji, në teknologjitë e komunikimit të arrijë të përvetosojë ose të aftësohet në mësimdhënie” tha Tafaj.
Punësimi i nxënësve
Kreu i arsimit deklaroi se synimi i qeverisë është integrimi i nxënësve në tregun e punës pas shkollës së mesme profesionale. Krahas arsimit të lartë që mund të ndjekin këta nxënës, duhet edhe të punësohen. Kjo do të behet konkrete sipas ministrit Tafaj, me projekte që do të fillojnë brenda këtij viti.
Arsimi i lartë
“Shifra prej 85 % e nxënësve që vijojnë arsimin profesional dhe shkojnë në arsimin e lartë nuk është ajo që duhet. Ne nuk na intereson të zhvillojmë arsimin profesional me këtë shkallë shumë të lartë të vazhdimit të shkollës së lartë menjëherë. Ne na intereson të zhvillojmë arsim profesional pas mbylljes të së cilit nxënësit shkojnë në tregun e punës dhe krahas punës vijojnë studimet në nivelin passekondar” tha Tafaj.
Projekti
Këto deklarata kreu i Arsimit i bëri gjatë nënshkrimit të një marrëveshje për arsimin profesional me Ambasdën Austriake, një projekt që do të shtrihet në disa shkolla të mesme ekonomike dhe do të perfshije rreth 4000 nxënës. Gjatë ceremonisë, Ministri Tafaj vlerësoi se ky projekt është ndër më të rëndësishmit në zhvillimin e arsimit të mesëm profesional në Shqipëri, sidomos në shkollat e mesme ekonomike. Projekti “ALBIZ” (Albanian Business School) ka një financim prej 800 mijë euro nga i cili do të përfitojnë 11 shkolla të mesme ekonomike dhe rreth 80 mësues të këtyre shkollave.
Zbatimi
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe objektiva e tij përputhen tërësisht me të gjtha objektivat e MASH-it në fushën e arsimit profesional. Ai prek kurrikulat dhe çka është më e rëndëshime ai prek edhe mësuesit, por impakti i tij është i drejtpërdrejtë për së paku 4 mijë nxënës të shkollave të mesme ekonomike,” vijoi Tafaj. Duke u ndalur në aspektet e projektit, Ministri Tafaj nënvizoi në mënyrë të veçantë rolin e mësuesit, i cili është në epiqendër të të gjithë reformës së thellë arsimore në vendin tonë. Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Tafaj theksoi se me konsensusin e Ministrisë së Finanacve dhe Ministrisë së Punës, do të fillojnë që këtë vit grantet për të nxitur vetëpunësimin e të rinjve që përfundojnë shkollat e mesme profesionale.
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›