"ONUFRI" shpall sot çmimet, ekspozita mbyllet në 4 shkurt
TIRANE- Galeria Kombëtare e Arteve njofton se ceremonia e ndarjes së çmimit të përvitshëm për artet pamore "Onufri 2009" do të zhvillohet sot, më datën 19 janar 2010, në orën 18:00, në sallën e Bibliotekës së GKA. Juria që përzgjedh fituesin e këtij edicioni është e përbërë nga Francesco Poli, kryetar jurie, kritik i njohur i Artit në Itali dhe Francë; Alma Mile, anëtare, gazetare në fushën e kulturës dhe të artit; si edhe Suzana Varvarica Kuka, anëtare, studiuese Arti në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Edicioni i 16-të i "Onufrit" është titulluar "Dëshira dhe dëshmi", për të cilat kuratori Parid Teferiçi u shpreh se: "Ky konkurs që mban emrin e piktorit të madh shqiptar, Onufrit, do përfaqësojë më denjësisht emrin e tij kur ne të kemi bërë njëlloj rikthim të pikturës, dhe në këtë pikë unë kam qenë i qartë që kur grupi organizator më ka besuar kurimin e ekspozitës". Dëshira dhe dëshmi", quhet edicioni i 16-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Pamor, kuruar nga Parid Teferiçi. Ekspozojnë artistë të njohur shqiptarë, të rinj të ardhur nga jashtë vendit dhe studentë të Akademisë së Arteve. Në ekspozitën e hapur më 24 dhjetor, u vendos nga kuratori që këtë vit të kishte të pranishme vetëm punët e artistëve shqiptarë, duke lënë jashtë saj ekspozimet e të huajve. Onufri i këtij viti është i pasur në gjini të ndryshme si fotografia, instalacioni dhe videoinstalacionet. Si një pikë e rëndësishme e konkursit është konsideruar emrin i artistit Gjelosh Gjokaj, një piktor me emër. Piktori i traditës, Hasan Nallbani është rikthyer në këtë edicion tek tema e erotizmit, një shije e ndaluar në kohën e diktaturës, ndërsa piktori i njohur Vladimir Myrtezai prezantohet me një video-instalacion. Në këtë ekspozitë marrin pjesë edhe artistë shqiptarë në mërgim, ndër të cilët është edhe njëri nga pjesëmarrësit, piktori Zini Veshi, i cili ka ardhur nga Amerika ku zhvillon artin e tij. Piktori Veshi sjell elemente të reja të shprehjes artistike, duke ruajtur themelet e stilit unik që ka krijuar që në Shqipëri. (s.g/Balkanweb)