E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, nuk ka vend për panik

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, deklaroi se fundi i muajit nëntor ka regjistruar gati çdo javë mbi 16 mijë të prekur nga gripi, përfshi këtu dhe katër viktimat e virusit AH1N1. "Fundi i muajit nëntor mund të themi se ka shënuar pikun e fluksit të qarkullimit të virusit në vend, e megjithatë situata është nën kontroll, kështu që nuk ka vend për panik", theksoi Ylli. Kjo, sipas tij, ka ardhur si pasojë e kontrollit të herëpashershëm të situatës epidemiologjike në vend, shkak ky që ka ndikuar në rënien e numrit të të shtruarve në spitale. Muaji nëntor ka shënuar pikun e rasteve të rënda të shtruara në spital, si pasojë e gripit stinor dhe gripit të derrit. Si pasojë e tij, kemi pasur shtim të rasteve të paraqitura në spital dhe rritje të personave me komplikacione serioze për jetën. Aktualisht kemi një pacient në gjendje të rëndë në spitalin infektiv në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza‘ në Tiranë. Sipas informacioneve nga spitali, ditën e enjte pacientja shfaqi probleme të rënda shëndetësore, por mësohet se ajo ka shpresa për të dalë nga kjo situatë", u shpreh Ylli. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se në dy javët e para të dhjetorit ka pasur numër më të vogël të personave të shtruar në spitale, por gjithsesi situata epidemiologjike, sipas tyre, po mbahet nën kontroll çdo ditë e më shumë. Instituti i Shëndetit Publik (ISSHP) ka nisur ekzaminimin e rasteve të rënda në të gjithë vendin për t‘i paraprirë situatës, e cila mund të përkeqësohet nëse nuk ka vëmendjen e duhur nga sistemi shëndetësor në Shqipëri. Mbrëmjen e së shtunës është regjistruar viktima e katërt nga gripi i derrit në vendin tonë. 31-vjeçari nga Vlora, që humbi jetën mbrëmjen e së shtunës, kishte kohë që ishte në gjendje gripale. Viktima është kuruar fillimisht me antibiotikë në kushte shtëpiake. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky mund të ketë qenë një nga shkaqet e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Ai u dërgua në spitalin e Vlorës, por pas konstatimit të një sërë komplikacionesh, mjekët vendosën që ta transferonin në Sanatoriumin e Tiranës. Si pasojë e gjendjes shëndetësore, që vazhdonte të ishte shqetësuese, u dërgua në reanimacionin e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza". Në orën 23:00 të së shtunës, 31-vjeçari është ndarë nga jeta. Aktualisht në Tiranë numërohen katër raste të rënda me gripin e derrit, tre prej të cilëve janë shtruar në sanatorium dhe vetëm një në QSUT. Mjekët thonë se grupmosha e tyre është 20-45 vjeç dhe se pjesa më e madhe vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese. Në të gjithë vendin numërohen zyrtarisht rreth 310 persona të prekur nga gripi i derrit, ndërkohë që në laboratorin e virologjisë konfirmohen çdo ditë rreth 6 raste të reja me AH1N1. Mjekët u bëjnë thirrje popullatës, të mos neglizhojë me shenjat klinike të ngjashme me gripin, por t‘i drejtohet mjekut të familjes në çdo rast për të marrë mjekimin e duhur. Bëhet fjalë për një grua 47-vjeçare nga Shkodra, e cila prej pesë ditësh gjendej e shtruar në sanatoriumin e Tiranës. Sipas autoriteteve mjekësore, viktima vuante nga mushkëritë hipertensioni dhe hiperobeziteti. Ndërkaq një 51-vjeçar, po nga qyteti i Shkodrës, ka humbur jetën nga virusi AH1N1. Tri ditë më parë, drejtori për Politikat Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, konfirmoi se gjashtë pacientë të prekur nga virusi i gripi të derrit ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që në vend numërohen gjithsej 310 persona të infektuar nga gripi i derrit. Viktima e parë e shënuar në Shqipëri, si pasojë e infektimit nga gripi i derrit, ishte një 57-vjeçar nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga tumori në prostatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›