Këtë vit ngelën më pak maturantë
Autoritetet e arsimit kanë bërë një bilanc të maturantëve që nuk kanë mundur të mbyllin dot shkollën e mesme, pasi nuk kanë kaluar në njërin apo të dy provimet e detyruara. Ata kanë humbur edhe shansin për të qenë pjesë e garës universitare, pasi tashmë janë skualifikuar. Drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, shprehet se numri i atyre që do të humbasin vitin e ri akademik është tepër i ulët, krahasuar me një vit më parë. Kështu, nga 34 mijë maturantë që iu nënshtruan provimit të letërsisë, kanë mbetur rreth 1500, ndërkohë që në matematikë, kjo shifër shkon në 2500. Këtë vit ka pasur dhe një risi tjetër, numri i atyre që kanë kërkuar rivlerësim, sipas të dhënave që referon drejtori Vejsiu, ka qenë më i ulët krahasuar me një vit më parë. "Po ju deklaroj se janë 550 nxënës që kanë kërkuar rivlerësim në letërsi, nga të cilët 150 kanë pasur ndryshime. Në matematikë 600 nxënës kërkuan rivlerësim, nga të cilët 250 iu ndryshua vlerësimi, 30 me më pak pikë se sa kishin marrë dhe pjesa tjetër, nga 1 deri në 4 pikë", tha Fatmir Vejsiu, drejtor i sistemit parauniversitar në MASH. Por e reja e Maturës Shtetërore këtë vit që favorizoi të rinjtë, ka qenë edhe heqja e kriterit për provimet me zgjedhje për ata maturantë që do të zgjidhnin Akademinë e Sporteve apo atë të Arteve. Edhe sikur këta maturantë të rezultojnë mbetës me pikët e konkursit, /////si edhe rezultatet e maturës do të mund të sigurojnë një vend. Ky vendim i ri erdhi si pasojë e ankesave të shumë maturantëve, mes të cilëve edhe talente që mbetën jashtë auditorëve, për shkak të provimit me zgjedhje.