Gripi i derrit qarkullon në dy shkolla nëntëvjeçare
Qarkullimi në vend i virusit pandemik A/H1N1 dhe gripi sezonal ka hyrë edhe në dy shkolla 9-vjeçare, një në Mat dhe një në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik deklarojnë se janë shtuar rastet me këto dy gripe, por situata e krijuar, sipas tyre, vjen për shkak të uljes së temperaturave. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, pohon se masat për mbylljen e ndonjë klase të veçantë nuk përjashtohen, megjithatë kjo është një masë drastike, e cila do të konsiderohet rast pas rasti, ndërsa këshillon që shkollat të marrin masa parandaluese ndaj gripit pandemik, ku në mënyrë të veçantë uji dhe sapuni të mos mungojë, në mënyrë që fëmijët të lajnë duart.
Situata
Mungesa të shumta në orët e mësimit, vizita të shpeshta tek doktori i shkollës kanë merakosur specialistët e ISHP-së, nga ku janë nisur për të marrë edhe mostra për raste që dyshohen për H1N1. Nga këto ka rezultuar një fëmijë i prekur, ndërsa pritet konfirmimi për rastet e tjera. Kjo u bë e ditur dje nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, dhe drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, në një deklaratë të përbashkët për shtyp, nga ku kanë detajuar situatën virologjike ndaj gripit sezonal dhe atij H1N1 në vend. “Vërejmë shtim të rasteve me H1N1 dhe atyre me grip sezonal. Kësaj situate i paraprihet hapja e laboratorit të ri virusolog në ISHP, i cili mundëson konstatimin e personave të dyshuar si mbartës të virusit. Brenda muajit nëntor mbërrin në vend vaksina kundër gripit H1N1”, - u shpreh Pipero, ndërsa mësohet se Ministria e Shëndetësisë ka blerë sasinë e nevojshme të tamiflusë, prej 10 mijë dozash, e cila ndodhet në institutin e shëndetit publik. Kreu i ISHPS-së deklaron se specialistët duhet të tregojnë kujdes dhe të përdorin tamilfunë vetëm në rastet që është e nevojshme. Gjithashtu, brenda javës që vjen, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” hapet dhe vihet në funksionim reparti i terapisë intensive.
Buletini
Po ashtu, është botuar edhe buletini i përvajshëm për situatën epidemiologjike në vend. Buletini tregon për një shtim në numër të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një trend në rritje të numrit të infeksioneve respiratore krahasuar me javën paraardhëse. Aktualisht, jemi në fazën e aktivitetit sezonal të pritshëm. Numri më i madhi rasteve të infeksioneve respiratore vërehet në moshat fëmijërore. Deri tani thuhet se nuk ka shpërthim epidemik të infeksioneve të ngjashme me gripin. Numri javor i rasteve është shumë i ulët në krahasim me pragun epidemik.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik bën me dije se deri të martën janë marrë 1037 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A/H1N1 deri në datën 10 nëntor është 54. Shenjat klinike të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare dhe nuk janë shfaqur komplikacione. Survejanca në të gjithë vendin është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe nga rrethet e tjera të vendit. Veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt me ministritë e tjera, me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet ushtarake dhe institucionet sociale kulturore.
Vaksinim ndaj gripit sezonal për këto kategori
1-Fëmijët nga mosha 6 muajsh deri në moshën 18 vjeç
2-Gratë shtatzëna
3-Personat mbi 55 vjeç
4-Personat e tjerë të çdo moshe, por që vuajnë nga sëmundjet kronike
5-Personat të cilët kujdesen apo jetojnë me ata persona të cilët janë në risk të lartë për t’u sëmurur nga gripi, siç janë personeli shëndetësor dhe personat që kujdesen për fëmijët ose që janë në kontakt me persona me probleme kronike shëndetësore
Serbi
Shpallet epidemia e gripit të derrit
Serbia shpalli dje epideminë e gripit të ri A/H1N1. Masa e parë në luftën kundër epidemisë është vaksinimi urgjent i tre milionë njerëzve, si dhe kujdestaria e përforcuar e mjekëve. Këtë e bëri të ditur ministri serb i Shëndetësisë, Tomica Millosavlevic. Ministria e Shëndetësisë serbe publikon shifrat e përhapjes së virusit. Bëhet fjalë për 7 të vdekur dhe 258 raste të vërtetuara. Vetëm në fillim të muajit nëntor janë regjistruar 130 raste të infektuara me AH1N1 dhe dy vdekje. Shpallja e epidemisë së gripit të derrave A H1N1 nënkupton mes të tjerash që në Serbi tashmë mbikëqyrja do të jetë e jashtëzakonshme. Do të ketë ndalim të grumbullimit me shumicë të njerëzve në vende publike, përfshirë shkollat dhe institucionet parashkollore. Por, ministri bëri të ditur se për mbylljen e shkollave dhe çerdheve do të vendosin institutet për shëndetin publik. Epidemiologët këshillojnë se vetë shpallja e pandemisë nuk ndryshon dukshëm rrethanat në vend, ndërsa masat do të zbatohen vetëm atje ku është e domosdoshme. Deri tani në Serbi janë shtruar në spital 443 persona me simptoma të gripit të ri, ndërsa virusi është konfirmuar te 261 persona. Por, jo zyrtarisht vlerësohet se janë rreth dhjetë mijë të sëmurë. Njoftohet se shumica prej të infektuarve kanë qenë jashtë vendit.
Kosovë
Rritet numri i të infektuarve nga gripi pandemik
Autoritetet shëndetësore japin alarmin për shtimin e numrit të të prekurve nga virusi A/H1N1 në Kosovë. Mësohet se që prej shfaqjes së parë në Kosovë të gripit të derrave, janë shënuar gjithsej 19 raste të reja të virusit A/H1N1, 6 prej të cilave janë evidentuar gjatë muajve të verës. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në muajin dhjetor pritet mbërritja e vaksinës kundër gripit të derrave dhe fillimi i vaksinimit për kategoritë e rrezikuara. Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha institucionet shkollore të raportojnë mungesën e nxënësve për arsye shëndetësore, në mënyrë që të evidentohen rastet e reja të prekjeve nga virusi. Autoritetet theksojnë se po hasin probleme në rajonet e banuara me shumicë serbe, prej nga informacionet për të prekurit nga virusi janë të kufizuara.