Kapen me 5 kg kokainë studentët shqiptarë të Arkitekturës
Itali
Kishin shkuar në Itali për të studiuar në fakultetin e Arkitekturës në Firence, por puna e tyre kryesore ishte të shpërndanin drogë. Policia italiane vuri në pranga 4 studentë shqiptarë dhe sekuestroi rreth 5 kg kokainë, me një vlerë rreth 2 milionë eurosh. Arrestimi i studentëve shqiptarë të moshave nga 23-26 vjeç u krye në Firence, gjatë pasdites të së martës, pas një kontrolli rutinë të nisur nga policia italiane. Policia sekuestroi edhe 20 kilogramë substancë për prerjen e mallit dhe disa peshore. Të ndaluarit u shoqëruan në qeli, në pritje për të dalë përpara drejtësisë italiane.
Arrestimi
Rreth orës 18:00 të së martës, agjentët e Seksionit të Narkotikëve në Firence kanë parë dy të rinj, të cilët shpërndanin drogë në sheshin “Dalmacia” të Firences. Ata kanë nisur vëzhgimin e të rinjve. I kanë ndjekur dhe pas gjysmë ore ka vënë sërish re tre të rinj, të cilët dilnin me shpejtësi nga hyrja e një apartamenti. Ata i kanë hipur automjetit të tyre, por janë ndjekur dhe më pas ndaluar nga policia. Agjentët kanë nisur të pyesin të rinjtë se ku banonin. Përgjigjet e ndryshme nga njëri-tjetri dhe hutimi që i përfshiu ata, bënë që agjentët të nisnin e të dyshonin. Ata kërkuan të kryenin një kontroll në banesën ku të rinjtë po qëndronin në rrugën “Di Carraira”. Kjo hasi në kundërshtimin e të rinjve, por më pas ata janë detyruar t’i çojnë agjentët brenda në banesë. Pas kontrollit të kryer nga karabinierët, në brendësi të një dollapi në dhomën e gjumit u gjetën 350 gramë kokainë e ndarë në dy qese, dy peshore elektronike dhe material që shërben për të mbështjellë dozat. Çelësi i kasafortës i gjetur në një mbajtëse rrobash çoi më pas në gjetjen e 3.000 eurove të fshehura aty. Ndërsa po kryhej kontrolli, në banesë u fut edhe shqiptari i katërt. Një adresë që zotërohej nga një prej tre të arrestuarve, në të cilën ishte shkruar vendndodhja e banimit në një lagje të Firences, çoi agjentët në një kontroll të dytë. Ata u drejtuan në rrugën “Vanni”, në apartamentin e një prej të ndaluarve. Kur karabinierët hapën një prej dhomave të banesës të mbyllura me çelës gjetën 5 kilogramë kokainë të fshehura. Gjithashtu, u sekuestruan edhe 6350 euro, një peshore për ndarjen e dozave dhe materialet për mbështjelljen e tyre. Të katër të ndaluarit u shoqëruan në qeli. Ata të gjithë studionin në degën e Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës në Firence. Policia italiane po heton për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.