E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shkon në 169 numri i të infektuarve

TIRANE-Ka arritur në 169 numri i pacientëve me virusin A/H1N1 në vendin tonë, ndërkohë që numri i personave me grip stinor shkon në 11- 12 mijë çdo javë. Drejtuesit e Shëndetësisë tashmë thonë se jemi në një situatë epidemie, ndërkohë që rastet me komplikacione të rënda po shtohen, jo vetëm për ata që preken nga virusi pandemik, por edhe nga gripi stinor. Është shënuar edhe rasti i parë i rëndë nga gripi sezonal, një djalë 15-vjeçar nga qyteti i Beratit. Por sipas mjekëve, pas dy ditëve që është shtruar në Infektiv, gjendja e tij shëndetësore po vjen duke u përmirësuar.
Ashtu si dhe vendet fqinje që tashmë kanë marrë kontingjentin e parë të vaksinave ndaj virusit A/H1N1, sipas drejtuesve të Shëndetësisë, në fillim të dhjetorit në vendin tonë do të vijë kontingjenti prej 250 mijë dozash. Të parët që do të përfitojnë nga këto 250 mijë vaksina janë bluzat e bardha, gratë shtatzëna, fëmijët, si dhe personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër kronike. Për sa i përket ndryshimit të planit të masave që ka marrë komiteti i pandemisë në vendin tonë, ato nuk do të ndryshojnë, pavarësisht rritjes së numrit të të prekurve nga gripi sezonal dhe virusi A/H1N1.

Çdo ditë në vendin tonë konfirmohen 2 apo 3 raste të infektuara nga gripi pandemik H1N1. Vetëm ditën e djeshme listës zyrtare të të infektuarve i janë shtuar edhe 25 persona të tjerë, duke e çuar numrin e të prekurve nga gripi i derrit në 169 raste. "Jemi në situatë epidemie, numri i të prekurve nga gripi A/H1N1 ka arritur në 169. Rasti i pacientit nga Durrësi te Sanatoriumi është më mirë, ka dalë nga situata e rëndë ku ishte më parë", -kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore.

Ashtu siç u paralajmërua nga specialistët, gripi stinor është shfaqur më kërcënues se A/H1N1. Në Shqipëri ky grip prek 12 mijë persona në javë. Po kështu, ai ka shënuar edhe rastin e parë me simptoma të rënda. Një djalë i ri nga Berati është paraqitur në spitalin Infektiv në gjendje të rëndë, si pasojë e infektimit nga gripi stinor. "Është në gjendje të rënde një 15-vjeçar, sot është pak më mirë, gripi stinor po rritet me ritme të shpejta, në një javë preken 10-12 mijë apo më shumë", - kanë bërë të ditur mjekët infeksionistë. Gripi stinor, sipas specialistëve po prek në shumicën e rasteve moshat fëminore, ndaj mjekët rekomandojnë injektimin e vaksinës në një kohë sa më të shpejtë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›