E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimet nëntokësore, sërish në këshilllin bashkiak të Tiranës

TIRANE-Ditën e sotme, në mbledhjen e pas dites në Këshillin bashkiak të Tiranës do të diskutohen një sërë çështjesh, midis tyre edhe parkimet nëntokësore. Edhe pse këto parkime kanë kaluar një herë për diskutim në këtë këshill, ku dhe u vendos mënyra e dhënies për koncesion. Por, në mbledhjen e sotme do të vendoset vetëm mbi termat kryesore të kontratave koncesionare. Ndërkohë që një tjetër pikë kryesore që do të diskutohet në këtë mbledhje është edhe vendimi "Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm për vitet 2010-2012", si dhe vendimi për vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor.
Parkimet
Projektet për ndërtimin e parkimeve nëntokësore në kryeqytet janë shumë pranë. Kjo për shkak se Bashkia e Tiranës ka zhvilluar tenderat për dhënien me koncesion të Parkut "Rinia" dhe sheshit "Italia" më 20 prill 2009. Sipas burimeve në Bashkinë e Tiranës, firma "Tawvan" sh.p.k ka fituar të drejtën për marrjen me koncesion të Parkut "Rinia", ku në nëntokën e tij do të ndërtohet projekti i parkimit nëntokësor, si dhe "Gener 2" sh.p.k, për projektin tek sheshi "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa". Këtyre dy firmave u është dhënë e drejta që të ndërtojnë parkimet nëntokësore në këto dy ambiente kyçe për kryeqytetin, duke i marrë këto të fundit me koncesion për 35 vjet. Këshill bashkiak në lidhje me këto projekte ka miratuar në muajin tetor 2008 formën 'BOT', që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim të dhënies me koncesion të dy parkimeve nëntokësore, propozim i cili është dhënë nga Bashkia. Forma 'BOT' e dhënies me koncesion parashikon që, pasi të ndërtohen parkimet nëntokësore dhe pas një afati që firmat fituese të tenderit do t'i përdorin, ato do t'i rikthehen sërish në pronësi Bashkisë së Tiranës. Ndërtimi i parkingut pranë Parkut "Rinia" do të bëhet në zonën veriore të tij, me disa kate të nëndheshme. Në këto parkingje nëntokësore mendohet se minutat e para do të jenë falas, ndërsa pagesa do të jetë sipas orëve të qëndrimit. Ndërkohë që pajtimet mujore do të kenë tarifa të tjera dhe normalisht, vendet e veta të përcaktuara në parking. Projektet e këtyre dy parkingjeve janë bërë në përputhje me planin rregullues të qendrës, ku synohet dhënia prioritet lëvizjes së këmbësorëve, biçikletave dhe transportit urban. Mbitoka në këto dy projekte nuk do të ndryshohet.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›