E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, sot priten përgjigjet e dhjetë analizave

Sot strukturat shëndetësore shqiptare presin përgjigjen e dhjetë analizave të dyshuara për AH1N1. Sipas direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo javë duhet të ekzaminohen imtësisht dhjetë kampionë pacientësh, të cilët mendohet se mund të kenë më shumë komplikacione se rastet e tjera. Mes tyre ndodhen edhe kampionët e dy fëmijëve të cilët dyshohen të jenë prekur nga AH1N1. Çdo javë nga i gjithë vendi, mjekët do të kryejnë ekzaminime e do të shohin me kujdes rastet që kanë më shumë komplikacione se të tjerët. Ndërkohë që pas filtrimit të informacionit dhe vërejtjes së situatës Instituti i Shëndetit Publik bën përzgjedhjen se cilët prej kampionëve kanë nevojë për një rikonfirmim specifik nga laboratorët e Rumanisë apo Britanisë së Madhe. Deri tani Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar mbi 90 raste të dyshuara nga gripi i derrit. Edhe sipas konfirmimit të dytë, asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar të jetë prekur nga AH1N1.

Analizat

Çdo rast me simptomë respiratore, me temperaturë të lartë, që prej kohësh ka vështirësi frymëmarrje, dhembje të forta trupi, që mund të ketë edhe diarre, me simptoma gripale, janë raste rutinë, të zakonshme që dërgohen për ekzaminime. Të gjithë këta pacientë ekzaminohen në kohën kur specialistët e shëndetit publik e përfshijnë me termin "përkufizim i rastit". Sakaq, një javë më parë Instituti i Shëndetit Publik deklaroi zyrtarisht se përveç rasteve të tjera, do të jenë plot 10 kampionë në javë që do të dërgohen për ekzaminime specifike. Kjo duke zbatuar një nga direktivat e OBSH-së lidhur me marrjet e masave për gripin e derrave AH1N1. Po ashtu edhe Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar urdhrin për marrjen e kampionëve të gjakut në të gjithë vendin, për rastet që identifikohen të "çuditshme" apo të dyshimta.

Pak ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, takoi nëndrejtoreshën e OBSH-së për Europën, Nata Menabde.

Në takim u diskutua kryesisht për gripin e derrave. Ministrja Godo sqaroi se vendi ynë ka vendosur prioritete lidhur me kategoritë që do të vaksinohen të parat.

Informacioni

Organizata Botërore e Shëndetësisë të paktën dy herë në javë do të dërgojë informacion të vazhdueshëm lidhur me çështjen e gripit të derrit. Pranë Ministrisë së shëndetësisë, në Drejtorinë e Shëndetit Publik, në mënyrë zyrtare do të mbërrijë informacioni lidhur me të dhënat më të fundit për sa i takon influencës AH1N1.

Këshilla, direktiva, të dhëna të fundit, mesazhe dhe njoftime do të dërgohen zyrtarisht në adresën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Informacioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka qenë i pranishëm hap pas hapi lidhur me gripin e derrave, që nga evidentimi i influencës e deri në rastet e fundit të të prekurve.

Me shtimin e rasteve, me shpalljen e pandemisë në disa vende, edhe informacioni që do të dërgohet do të jetë më i shpeshtë dhe më intensiv me strukturat e shëndetësisë shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›