E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina, rriten kërkesat për blerjen "privatisht"

Edhe pas lajmit të mirë se Shqipëria po shikon mundësinë për të porositur vaksinë enkas për gripin e derrit, qytetarët kanë marrë edhe masat e tyre. Farmacitë më në zë në kryeqytet dhe depot e mëdha farmaceutike të cilat sjellin medikamente në Shqipëri kanë marrë dhjetëra kërkesa për të blerë vaksinë të thjeshtë apo Tamiflu. Shumë prej qytetarëve që kanë bërë porosi kohë më parë i kanë marrë vaksinat Tamiflu, të tjerë presin t‘i marrin ato.

Të gjitha këto veprime dhe kërkesa janë bërë privatisht.

Rrethe të ndryshme me lidhje gjaku apo lidhje shoqërore kanë bërë një preventiv për sasinë e vaksinave që u nevojitet për të afërmit e më pas e kanë dërguar atë pranë grosistëve.

Ndërkohë që sapo të jetë zgjidhur çështja e vaksinave specifike për t‘u mbrojtur nga gripi i derrit kërkesa të tjera do të vijnë nga qytetarë të tjerë. Ndërsa për sa u takon vaksinave të thjeshta të gripit që qytetarët marrin gjithmonë në stinën e vjeshtës, kërkesat janë edhe më të mëdha. Ende shoqata e grosistëve apo struktura të tjera private që operojnë në tregun farmaceutik shqiptar, nuk kanë deklaruar për një rritje të mundshme të çmimit të tyre, por kërkesat për këtë produktet në muajin shtator-tetor-nëntor, mendohet të trefishohen.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar ka deklaruar se ka një stok vaksinash Tamiflu dhe ka bërë porosinë për 5 mijë doza të tjera. Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se është në fazë diskutimi mundësia për të porositur doza vaksinash enkas për gripin e derrit. Mendohet që edhe vendi ynë t‘i shtohet listës së vendeve të cilat janë në pritje për të marrë vaksinën e AH1N1.

Ministria e Shëndetësisë po njihet mbi ecurinë e prodhimit të vaksinës dhe është në fazë shqyrtimi mundësinë e porositjes së dozave për Shqipërinë. Veç stokut që disponon vendi ynë ka kërkuar edhe 50 mijë Tamiflu të tjera.

Firmat private farmaceutike do të sjellin edhe vaksinën e thjeshtë të gripit, e cila do të tregtohet në farmacitë e të gjithë vendit. Për sa i përket vaksinimit të grupeve të popullsisë, shëndetësia ka nënvizuar se kategoritë e domosdoshme që duhen vaksinuar janë punonjësit e shëndetësisë, të cilët duhet të jenë në shëndet dhe eficensë të plotë të tyre, punonjësit e disa institucioneve, si bankat. Ndërkohë është shumë e rëndësishme të vaksinohen fëmijët e vegjël, pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, gratë shtatzëna.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›