Shirat në fundjavë, rrezikohet ndotja e ujit të pijshëm
Emanuela Sako
Qytetarët e kryeqytetit bëjnë mirë të mos pinë këto ditë në ujin e çezmave. Shirat në fundjavë rrezikojnë ndotjen e ujit të pijshëm në disa nga lagjet e Tiranës. Specialistët e Ujësjellësit shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të rrjetit të amortizuar. Sipas tyre, uji i shiut bashkohet në tubacione me ujin e pijshëm, çka bën që të ketë edhe ndotje bakteriale. Të njëjtët specialistë shpjegojnë edhe më tej duke thënë se e njëjta situatë e rrezikshme shfaqet edhe pas shiut ku tubat shfryjnë dhe uji që ndodhet në tokë kalon nëpër tuba. Kjo ndodh në rastet kur tubacionet nuk kanë furnizim me ujë, duke pasur parasysh oraret e vendosura për furnizimin me ujë të çdo zone të kryeqytetit. Uji i pijshëm rezulton problematik në disa zona të Tiranës. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës, Gjergj Ndoja, pak kohë më parë bëri të ditur se uji i pijshëm rezulton problematik në pesë pika të ndryshme të rrjetit shpërndarës. Nga evidentimet e bëra, kjo ndodh për shkaqe të ndryshme që kanë lidhje me amortizimin e rrjetit dhe si pasojë e ndërhyrjeve të subjekteve apo qytetarëve në rrjetin shpërndarës.
Zonat
Nga inspektimet e kryera në terren nga specialistët e kësaj Drejtorie ka rezultuar se zonat që janë evidentuar me probleme gjatë ditëve të janë: “Rruga e Kavajës”, “Qyteti i nxënësve”, rruga “Todi Shkurti” dhe zona te kthesa e Kamzës. Qytetarët kanë drejtuar ankesa pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, ndërsa kjo e fundit vë në dijeni Drejtorinë e Ujësjellësit për të realizuar ndërhyrjet në rrjetin e amortizuar. Kjo situatë rendohet së tepërmi gjatë stinës së dimrit për shkak të shirave. Ndërkohë që ndërhyrjet e paligjshme në rrjet e rëndojnë edhe më tepër situatën, pasi në këto raste rreziku për ndotje është më i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se duke mos kaluar ujë vazhdimisht në tubacione, atëherë ndodh që në pjesët e çara të tubacioneve të ndodhë shfryja e tubave dhe futja brenda në rrjet e ujit që ndodhej jashtë tubacioneve. Nga kjo, ndodh ndotja bakteriale dhe përhapja në shtëpitë e qytetarëve në momentet kur bëhet furnizimi me ujë. Specialistët shprehen se gjendja e ujit është në nivele më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Gjendja e ujit në 2008 është cilësuar si më e mirë se gjatë 2009-ës.
Shkaqet
Shkaqet e ndotjes së ujit të pijshëm kanë prejardhje të ndryshme. Megjithëse specialistët janë munduar të reduktojnë problematikën e krijuar, në disa rastet problemet janë të pashmangshme dhe krijohen vazhdimisht. Një ndër arsyet e ndotjes së ujit është amortizimi i rrjetit për shkak të vjetërsisë së tubacioneve dhe është e vështirë kontrolli në çdo kohë 1600 kilometra rrjet. Problem tjetër për ndotjen e ujit është bërë fenomeni i depozitave të vendosura në pallate, të cilat nuk klorinohen dhe pastrohen. Sipas specialistëve, vitet e fundit është shtuar numri i qytetarëve që për të siguruar ujë të pijshëm në çdo kohë vendosin depozita, por nuk i pastrojnë ato. Duke u bazuar në ankesat e bëra, ata shprehen se shkak për ndotje është bërë depozita, specialistët shprehen se kanë marrë mostra në rrjet para se uji të shkojë në depozitë dhe ka rezultuar normal. Ndërsa menjëherë sapo uji mbërrin në depozitë dhe shpërndahet në çezma uji ka rezultuar i ndotur. Ndoja bën të ditur se banorët e pallateve duhet që të kryejnë pastrimin e depozitave 2 herë në vit. Ai sqaroi se në këto raste nuk është përgjegjëse Drejtoria e Shëndetit Publik, pasi kjo është një zgjidhje personale e qytetarëve që nuk ka lidhje me kontrollin e rrjetit të shpërndarjes së ujit. Një çështje tjetër e cila bën që qytetarët të përdorin ujin e pijshëm jashtë standardeve të përdorimit janë bërë pus-çpimet e shumta në disa zona, ku ka ndërtime të mëdha të pallateve. Firmat e ndërtimit apo vetë qytetarët hapin puse për të nxjerrë ujë dhe e lidhin me rrjetin shpërndarës, pa bërë analizat e ujit që përcaktojnë nëse uji është në gjendje përdorimi ose jo. Kjo situatë bëhet shkak për krijimin e problemeve të gjendjes shëndetësore të qytetarëve. Në mjaft raste, qytetarë të ndryshëm apo biznese kryejnë lidhje të jashtëligjshme të rrjetit kryesor të shpërndarjes së ujit për ta përdorur për arsye personale, ku ndodh dhe ndotja e ujit.
Zonat e kryeqytetit, ku rrjeti është i amortizuar
Rrjeti i shpërndarjes së ujit në disa zona është i amortizuar. Drejtori i Ujësjellësit bëri të ditur pak kohë më parë se zonat që kanë probleme me rrjetin janë pjesa e disa rrugicave në kryeqytet, në zonën e Njësisë Bashkiake nr. 2, apo tek pjesa e tregut elektrik. Drejtori shprehet se ka diskutuar problemin me kryetarin e kësaj njësie dhe është njohur me ankesat e banorëve të zonës. Ai deklaroi se kanë kërkuar fonde për të mundësuar ndërhyrjen në këtë rrjet, në mënyrë që të sigurohet uji në banesa dhe të ketë cilësinë e duhur për konsumim. Kjo, në mënyrë që të shmanget ndotja e ujit. Tirana ka 1600 kilometër rrjet ujor në të gjithë tërësinë e saj, çka bën të pashmangshme dhe krijimin e amortizimeve në disa pjesë të saj. Drejtoria e Shëndetit Publik, gjatë gjithë sezonit të verës ka kryer një sërë inspektimesh për verifikimin e kushteve që ndodhet ujit i pijshëm. Sipas të dhënave që janë bërë nga specialistët e higjienës, përgjithësisht uji nuk ka pasur probleme të ndotjes bakteriale. Ndërsa sasia e klorit është në normat e lejuara, e cila mundëson ruajtjen e cilësisë së ujit dhe sigurinë e tij për konsumim. E vetmja këshillë që japin specialistët gjatë sezonit të verës, është që ata duhet të tregohen të kujdesshëm kur të blejnë ujin në bidonë, pavarësisht se janë të ambalazhuar. Sipas tyre, uji duhet të jetë në një temperaturë të caktuar dhe që të mos jetë i ekspozuar ndaj diellit. Edhe para se të konsumohet uji duhet të ketë qëndruar në një ambient të freskët. Në të kundërt uji i bidonëve mund të jetë i rrezikshëm për jetën, pasi shkakton helmime ushqimore në organizëm. Mjaft zonat të kryeqyteti gjatë sezonit dimëror mbipopullohen nga balta, përmbytjet apo pellgjet e mëdha që krijohen me ditë të tëra. Ndërhyrjet për punime të ndryshme apo pallatet e reja, bëjnë që të ndërhyhet në rrjet duke krijuar çarje, ku krijohen hapësira për futjen e ujit nga jashtë brenda në tubacione.
Zonat më problematike
“Rruga e Kavajës”
“Qyteti i nxënësve”
rruga “Todi Shkurti”
kthesa e Kamzës
Bulevardi “Zogu i parë”
Problemet
Amortizimet në rrjet nga mungesa e restaurimit
Hapja e puseve
Ndërhyrjet e paligjshme në rrjet
Depozitat në pallate
13 Tetor 2009