Hipertensioni, sëmundjet që shkaktojnë tensionin e lartë të gjakut
Tensioni i lartë është një sëmundje që në të shumtën e rasteve shkaktohet nga një tjetër, sidomos nga problemet në veshka. Për këtë arsye, mjekët shpjegojnë se si duhet të veproni për ta luftuar “epideminë” e këtij shekulli. Sipas mjekëve, hipertensioni dhe diabeti po kthehen në dy epidemi të mëdha. Shpesh hipertensioni vjen për shkak të sëmundjeve të tjera, ndërsa në raste të tjera është i trashëgueshëm. Nga 100 raste me hipertension, 80 vetave nuk u dihet shkaku, ndërsa 20 rastet e tjera vuajnë nga hipertensioni i trashëgueshëm.
Shkaktarët
Disa nga shkaqet kryesore që shkakton këtë sëmundje “epidemike”, është ndonjë defekt në veshka, tumori adrenal, ngushtimi i aortës e të tjera. Në këto raste hipertensioni quhet dytësor, sepse vjen si pasojë e një sëmundjeje tjetër. Ndodh që, kur sëmundja tjetër që shkakton hipertensionin zhduket, edhe hipertensioni zakonisht zhduket bashkë me të. Tipi tjetër i hipertensionit quhet primar. Ky lloj hipertensioni prek pjesën dërmuese të të sëmurëve me hipertension. Shkaktari i tij ende nuk njihet. Por besohet se është rezultat i shumë faktorëve si: trashëgimia, mbipesha, mënyra e të ushqyerit, mungesa e aktivitetit fizik etj.
Shenjat
Për shkak të natyrës se si vepron sëmundja, hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i fshehtë”, sepse shpesh mbetet i padiagnostikuar. Madje jo vetëm kaq, por sipas mjekëve ka njerëz që as e kanë marrë vesh ndonjëherë se kanë pasur hipertension. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe jo brenda pak ditësh. Pikërisht për këtë është e vështirë që të kuptohet nga vetë personi që në fillim. Megjithatë, ka disa simptoma të hershme që mund t’i kujtohen çdo personi me hipertension. Këto simptoma janë: dhimbje koke, sidomos në mëngjes, gumëzhim veshësh, marrje mendsh, depresion pa e ditur shkakun, personi nxehet pothuajse pa arsye, i skuqet fytyra dhe shpesh ka gjendje të fikti.
Kur trashëgohet
Sipas studimeve, trashëgimia ndikon në një farë mase në çdo aspekt të shëndetit tonë. Që nga personaliteti dhe sjellja, deri te mundësia për të pasur kancer. Po me hipertensionin, çfarë ndikimi ka trashëgimia? Deri 10 vjet më parë mendohej se hipertensioni ishte një karakteristikë e trashëguar e njeriut. Ndërsa tani që shkenca ka evoluar, ka dalë përfundimi se në pjesën dërmuese të rasteve hipertensioni vjen si pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër, pra është dytësor. Përbërësi që shkakton më shumë problem në rastin e kësaj sëmundjeje është kripa. Veshkat prodhojnë një enzimë të veçantë të quajtur renin. Veshkat e këtyre individëve në fakt prodhojnë renin me tepricë, gjë që shkakton tkurrjen e arteriolave dhe në të njëjtën kohë detyron veshkat të mbledhin kripë. Tkurrja e arteriolave dhe rritja e nivelit të kripës në veshka, të dyja këto dukuri shkaktojnë rritje të tensionit të gjakut.
ǒduhet të bëjmë për të luftuar hipertensionin
Duke qenë se shpesh të prekurit nga hipertensioni nuk e dinë një gjë të tillë, duhet të ndiqen disa hapa për ta zbuluar atë. Kështu, fillimisht duhet të bëhet një “eko” e zemrës, më pas duhet bërë një kontroll për enët e gjakut në sy, si dhe një analizë urine. Preparatet e para mjekësore kundër hipertensionit janë diuretikët, të cilët shkaktojnë eliminim lëngjesh nga organizmi. Eliminimi i tyre sjell eliminim të kripës. Kjo metodë zakonisht e ul tensionin e lartë. Por ka një problem jo të vogël në këtë mes. Bashkë me kripën, diuretiket eliminojnë edhe potasiumin. Prandaj doktorët që japin diuretikë, japin edhe tableta potasiumi. Gjithashtu, personi që merr këto duhet të pijë shumë ujë. Minimumi për sodiumin (kripën) është 200-250 miligramë, ndërsa për potasiumin është 1000 miligramë. Rregulli bazë në mënyrën e të ngrënit është që, çfarëdo që të hamë, duhet të zgjedhim ushqime me sa më shumë potasium dhe me sa më pak kripë. Ushqimet natyrale, sidomos zarzavatet, kanë një përmbajtje të lartë potasiumi dhe të ulët në sodium. Ndërsa ushqimet e përgatitura nga njeriu (konserva, sallama, djathëra etj) kanë përmbajtje të ulët potasiumi dhe përmbajtje të lartë sodiumi. Edhe mbipesha ndikon negativisht në rritjen e tensionit të gjakut. Por fakti është se pas përpjekjeve për të rënë në peshë, tensioni bie shumë më shpejt se rënia e vetë peshës. Pra, nuk është një lidhje e thjeshtë se, meqë kur je shumë i shëndoshë dhe zemra jote punon me sforcë, ke tension të lartë. Ky është vetëm njëri faktor. Por ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm, i cili mendohet të jetë insulina.
Si mund të luftojmë hipertension me aktivitet fizik
Po të vraposh 30 minuta në ditë pa pushim, i plotëson më së miri kushtet e aktivitetit të duhur sportiv. Sipas specialistëve, stërvitja e rregullt dhe serioze ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Gjatë stërvitjes trupi prodhon nxehtësi prej metabolizmit. Kjo nxehtësi duhet që të shkarkohet diku dhe normalisht kalon nga lëkura në ajër. Kjo arrihet nëpërmjet rritjes së qarkullimit të gjakut në sistemin periferik dhe me anë të avullimit te djersës. Gjithashtu, gjatë stërvitjes, tensioni i gjakut rritet, sepse zemrës i duhet të pompojë me më shpejtësi për të shpejtuar qarkullimin e gjakut. Kjo, me qëllim që të ushqejë muskujt dhe për të shpërndarë nxehtësinë e tepërt. Por, pasi stërvitja ka mbaruar, muskujt e çlodhur dhe kapilarët e zgjeruar lejojnë gjakun të qarkullojë më lirisht, prandaj edhe tensioni i gjakut bie. Një faktor tjetër është edhe insulina. Nuk ka më asnjë dyshim që, një person që merret me stërvitje, trupi i tij e përdor insulinën me më tepër efektivitet. Kjo përfshin edhe diabetikët e të dy tipave, por edhe çdo njeri tjetër që nuk ka diabet apo hipertension. Stërvitja ndihmon në uljen e nivelit të insulinës në gjak (sepse nuk ka nevojë për insulinë të tepruar, se ajo që është e bën punën njësoj). Sasi më e ulët insulinë në mënyrë indirekte, ul tensionin e gjakut, për shkak se kjo ndikon tek veshkat që të thithin më pak sodium në organizëm.
Simptomat e një të sëmuri me hipertension
Dhimbje koke, sidomos në mëngjes
Veshët të gumëzhijnë
Marrje mendsh vazhdimisht
Ndonjëherë të del gjak nga hundët
Depresion, pa e ditur shkakun e vërtetë
Personi nxehet pothuajse pa arsye
Të sëmurit i skuqet fytyra
Shpesh ka gjendje të fikti
Ushqimi, masat që duhet të merrni
Hani patjetër zarzavate për dreke dhe për darkë. Kjo përfshin sallatat, drithërat (oriz, misër etj.), patate, fasule, bishtaja, bamje, patëllxhanë, speca etj.
Nëse në mëngjes hani përshesh me qumësht, buka duhet të mos ketë kripë.
Mos hani konserva mishi, peshku, sallam dhe çdo gjë tjetër që vjen e paketuar nga fabrika si ushqim i gatshëm.
13 Tetor 2009