E Diel, 1 Nëntor 2026

"South Stream", loja që fshihet pas vijës detare Shqipëri-Greqi

Rrjeti rus i gazsjellësit drejt Europës kalon nëpër ujërat pranë Sarandës. Skema se si do të realizohet projekti dhe rrezikimi i interesave shqiptare

Albert Gjoka

Marrëveshja për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ngjallur debate të shumta, por prapaskenat e saj nuk janë sqaruar ende. Deri tani janë hedhur shumë opsione, të cilat synojnë të sqarojnë të vërtetat e nëndheshme. Kur kanë mbetur edhe pak ditë që të miratohet në Kuvend dhe të marrë formë ligjore, dalin në dritë fakte të reja, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike dhe gjeostrategjike të rajonit. Gjithçka lidhet me gjurmën e gazsjellësit “South Stream”, projektit rus që synon të çojë gazin në Perëndim përmes takës së çizmes në hartën e Italisë. Gjurma e projektit konkurrues me atë të Nabuco-s vjen nga Rusia e largët, drejt Ukrainës dhe më pas përmes Bullgarisë, hyn në territorin e Greqisë. Rruga më e shkurtër dhe më pak e kushtueshme që “South Stream” të udhëtojë drejt Perëndimit është që të futet përmes Kanalit të Korfuzit. Për të shkuar te “taka” italiane ky është shtegu më i shkurtër dhe me kosto financiare shumë më të vogël sesa alternativat e tjera. Ngutja greke për të mbyllur sa më shpejt Marrëveshjen për Shelfin Kontinental me Shqipërinë lidhet pikërisht me këtë projekt, i cili ka si afat të nisjes së punës vitin 2010. Koha nuk pret më.

Misteret
Duke komentuar marrëveshjen për “Shelfin Kontinental”, disa muaj më parë, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tha se pala greke e argumentonte një kërkesë të tillë me një burim nafte në zonën e Korfuzit. Në të vërtetë, kjo tani duket si përrallë. Edhe sikur të ketë naftë apo gaz në ujërat detare mes dy vendeve, kostoja për shfrytëzimin e tyre do të ishte marramendëse, aq sa do ta bënte të paleverdishme ekonomikisht nisjen e një pune të tillë. Më pas pati zëra që e justifikonin rishikimin e vijës detare përgjatë Kanalit të Korfuzit me ndryshimin e platformës nënujore, për shkak të rrjedhjes së lumenjve nga territori shqiptar dhe ndryshimit të Shelfit në ujërat detare greke. Një gjë e tillë thuhej se ka sjellë probleme në lëvizjen e trageteve dhe anijeve të mëdha të mallrave që qarkullojnë nëpër Kanal.

Ngutja greke
Grekët po tregohen të paduruar që ta mbyllin një orë e më parë Marrëveshjen për delimitimin e kufirit. Negociatat kanë nisur disa vite më parë, por janari i 2009-s shënoi progres për palën greke. Një ndër arsyet kryesore të ardhjes në Tiranë të kryediplomates Dora Bakojanis dhe më pas të kryeministrit Kostas Karamanlis, mendohet të jetë edhe përfundimi në një periudhë sa më të shkurtër kohe i kësaj marrëveshjeje. Në momentin kur stafet teknike të ministrive të jashtme të dy vendeve sigluan Marrëveshjen, ish-kreu i qeverisë së Athinës nuk e përmbajti gëzimin dhe lëshoi një deklaratë triumfuese nga Brukseli, pa pritur që të kthehej në vendin e tij.
Pika më kulmore, pa dyshim, ishte ardhja e Karamanlisit në Tiranë. Por, dy ditë para se të vinte në Shqipëri, më 29 prill të këtij viti, ai kishte mbyllur disa bisedime të rëndësishme në kryeqytetin bullgar. Udhëtimi në Tiranë dhe negociatat me homologun shqiptar kanë ecur sipas dëshirës së tij, falë koncesioneve të vogla që i kishte dhënë Tiranës, si hyrja në NATO apo lobingu me pikatore në rrugën e gjatë dhe të vështirë të anëtarësimit në BE. Vetëm disa ditë pasi mbylli pazaret me Tiranën zyrtare, Karamanlis mori pjesë në takimin e zhvilluar më 16 maj 2009 në Soçi të Rusisë. Pikërisht në atë takim u firmos me palën ruse dhe bullgare vendimi i rëndësishëm për realizimin e gazsjellësit “South Stream” (Rrjedha e Jugut). Projekti që do të arrijë në 1.5 miliardë euro do të ndërtohet nga kompanitë publike të energjisë, të Bullgarisë, “DESFA” greke dhe kompania serbe “Serbijagaz”. Ndërsa në Itali, financuesi dhe lobuesi i saj është kompania “ENI”. Një ditë para takimit në Soçi, kavalieri i Romës, Silvio Berluskoni, zhvilloi bisedimet me homologun rus, Vladimir Putin. Ata ranë dakord që të rrisin kapacitetin përcjellës të "South Stream" nga 31 në 63 miliardë metra kub gaz në vit. Putin deklaroi në konferencën për shtyp me Berluskonin se “South Stream” nuk është rival i “Nabuco”, përkundrazi, ato kompletojnë njëri-tjetrin. Gjithë kjo sasi gazi do të kalojë nga Greqia për në Itali; sigurisht, me një tubacion nënujor që patjetër kalon midis Korfuzit, fare pranë bregdetit shqiptar.

Fillimi në 2010-s
“South Stream”, gazsjellësi që ka shkaktuar më shumë debate në gjeopolitikën e madhe globale për shkak të rivalitetit SHBA-Rusi, u finalizua vetëm pak javë më parë. Vladimir Putin arriti pazarin me Ankaranë, duke i kënaqur ambiciet e saj kundrejt ofrimit të financimeve të mëdha dhe furnizimeve me gaz. Veç kësaj, Turqia ka marrë edhe koncesione të tjera nga disa vende europiane për përshpejtimin e integrimit në BE. Bullgarinë dhe Greqinë i kishte pjesë të saj. Tashmë, projekti me vlerë 1.5 miliardë euro do të financohet nga Gazprom-i rus dhe kompania italiane “Eni”. Agjencia “Reuters” citonte në një shkrim të datës 6 gusht se ministri rus i Energjisë është shprehur se ndërtimi i “South Stream” do të nisë jo më vonë se viti 2010 dhe se nuk ka pengesa serioze për ta zvarritur më tej. Projekti është parashikuar të përfundojë në vitin 2015 dhe do të furnizojë ¼ e Europës me gaz.

Përjashtimi i Shqipërisë
Të gjitha rrjetet e mëdha të naftës dhe të gazit e kanë përjashtuar Shqipërinë. Pas dështimit të AMBO-s, asnjë gjurmë e naftësjellësve apo gazsjellësve ndërkombëtarë nuk kalon përmes territorit tonë. Kjo pritet të shkaktojë mungesa të burimeve energjetike dhe varësi të drejtpërdrejtë nga vendet fqinje, si Greqia, Italia apo ndonjë vend tjetër. Të njëjtën fatkeqësi pritet të kenë edhe Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Mbase përpjekja e qeverisë shqiptare për të ndërtuar TEC-e, HEC-e apo parqe eolike, biomasë, ect., është një stërmundim për të siguruar burimet energjetike me forcat e tyre. Në këtë mënyrë, vendi ynë humbet jo vetëm burimet energjetike, por edhe para të thata që mund t’i vinin nga kalimi transit i tubacioneve. Pa dyshim, përjashtimi i madh i vendit tonë nga rrjetet rajonale të naftës dhe gazit ka ardhur edhe për shkak të mungesës së fuqisë për të lobuar, apo edhe shpërdorimit dhe dredhisë që bëjnë fqinjët tanë.
Edhe një tjetër arsye
Kur kanë mbetur edhe pak orë që të ratifikohet nga deputetët shqiptarë Marrëveshja për ndarjen e re të vijës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, presionet për anulimin apo rishikimin e dokumentit mbi qeverinë “Berisha” janë rritur ndjeshëm. Dy ditë më parë, 72 organizata dhe shoqata, intelektualë, ushtarakë dhe historianë të ndryshëm kanë dalë kundër saj. Madje, ka nisur edhe një peticion, ku kërkohen firmat e qytetarëve për t’i dhënë ndal këtij plani. Ushtarakë si Myslim Pasha, apo ekspertë të së Drejtës Ndërkombëtare, si Arben Puto, kanë dhënë argumentet e tyre profesionale dhe shkencore për t’i thënë “Jo” kësaj marrëveshjeje. Tashmë gjërat duket se po qartësohen dhe fqinji ynë do ta përdorë Kanalin e Korfuzit, por dhe territorin shqiptar për të kaluar një nga rrjetet më të mëdha të gazit në të gjithë botën. Megjithëse e kemi shumë pranë burimin, Shqipëria nuk do të “pijë” lëndën energjike falë një marrëveshjeje, e cila, nëse do të negociohej në kushte dhe rrethana të tjera, mund t’i sillte fitime të konsiderueshme vendit tonë. Me pak fjalë, ne do të konsideroheshim si “Humbësi i Madh”.
Por çfarë po ndodh, apo çfarë pritet të ndodhë me këtë hap që ka marrë Shqipëria, duke favorizuar në mënyrë, në mos naive, interesa të cilat nuk punojnë për vendin tonë? Si do të jetë reagimi i aleatëve strategjikë të Shqipërisë? Çfarë presionesh ka pasur qeveria “Berisha” dhe cilat do të jenë sanksionet në të ardhmen? Pak kohë më parë, Serbia pati presione të mëdha nga Uashingtoni që të mos pranojë marrëveshjen me Rusinë për këtë projekt. Duket se edhe zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, këtë mesazh ka përcjellë në Beograd. Le të presim. Çfarë do të ndodhë nëse maxhoranca e re nuk e ratifikon në Parlament më 19 tetor? A ka fuqi zoti Berisha? Pak e besueshme.

Ekspertët: Marrëveshja ka pika të errëta, Otranto në dyshim

Organizohet një dëgjesë publike për ndarjen e re detare me Greqinë
Dalin kundër edhe politikanë të maxhorancës, si Sabri Godo

TIRANË - Marrëveshja shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë, e nënshkruar disa muaj më parë, pas vizitës së kryeministrit grek Karamanlis në Tiranë dhe e miratuar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve me 25 shtator, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësues të politikës, shoqërisë civile, historianë e studiues, të cilët i kanë kërkuar Parlamentit mortifikimin e këtij pakti. Sipas ekspertëve, Marrëveshja i fal Greqisë rreth 354 km2 sipërfaqe ujore. Në këtë takim, ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë, të cilët nuk morën pjesë, u bë një analizë e plotë e të gjitha detajeve të Marrëveshjes nga ana e kolonelit në rezervë të Forcave të Armatosura, Myslim Pashaj, i cili nënvizoi faktin se ky pakt shkel integritetin territorial të vendit dhe ligjin ndërkombëtar të ujërave. Sipas kolonelit Pashaj, Marrëveshja ka shumë pika të errëta dhe të debatueshme, sidomos për Otranton, ku pika e mesit mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është vendosur në brendësi të detit territorial shqiptar. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të ishte paraprirë më parë nga një seri ligjesh që duhet të ishin miratuar në Kuvend. Të ashpër në reagimin e tyre kanë qenë sidomos përfaqësues të politikës. Pëllumb Xhufi e ka cilësuar Marrëveshjen të njëjtë me historinë e Shën Naumit. Presidenti i Asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje. Të gjithë të pranishmit dolën në konkluzionin se ratifikimi i Marrëveshjes shqiptaro-greke duhet të shtyhet deri në vërtetimin dhe analizimin e plotë të saj. Përfaqësues të tjerë në takim hodhën idenë se edhe nëse Marrëveshja ratifikohet nga Kuvendi, atëherë duhet të jetë Gjykata Kushtetuese që duhet ta interpretojë atë.
Koloneli Myslym Pashaj ka përgatitur një studim për këtë marrëveshje dhe sipas tij, përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve shkel sovranitetin kombëtar duke i dhuruar hapësira detare vendit fqinj. Kolonel Pashaj sqaron në studimin e tij se si Marrëveshja ndërpret në mënyrë tërësore të drejtën e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushticës së Otrantos, cenimin e detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore (contigous zone) si dhe hapësirës së veçantë ekonomike. Sipas kolonelit është cenuar drejtpërdrejt Sovraniteti Kombëtar dhe mosmbrojtja e së Drejtës Detare të dhënë nga Konventa e OKB-së për Detet. “Ngushtesa u përket vetëm dy shteteve përballë, Italisë dhe Shqipërisë. Republika e Greqisë përfiton në këtë rast në të tria drejtimet, si në atë verior (në mes të Ngushtesës), në Perëndim ku ka hapësirë detare më Italinë, në Jug ku është universi i saj natyror ujor”, - thuhet në raport. Një tjetër skandal i shënuar në këtë marrëveshje është dhe ajo çfarë ka ndodhur me hapësirën detare, në Gjirin e Sarandës, i cili, edhe pse është pjesë e ujërave territoriale shqiptare, është trajtuar si një vijë bregdetare e zakonshme.
Katër ditë më parë u mblodhën në një takim 72 organizata të ndryshme, ku ishin thirrur për të diskutuar edhe ekspertë të fushave të ndryshme, si ushtarakë, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare etj. Marrëveshja pritet të kaloje për miratim në Kuvend më 19 tetor. Marrëveshja e re pritet të prezantohet dhe të argumentohet para deputetëve, në Kuvend nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zoti Ilir Meta.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›