Peticion në internet kundër marrëveshjes për kufirin detar
TIRANE – Prej disa kohësh është lançuar në internet një peticion ku qytetarët mund të shprehen kundër nismës së fundit ligjore të qeverisë për të ligjëruar në Kuvend marrëveshjen e re me Greqinë. Peticioni është publikuar në faqen e internetit” www.gopetition.com/online/31143.html dhe është aktiv në 75 vende të botës. Në të ka një formular ku çdokush mund të shënojë të dhënat on-line nëse është kundër ratifikimit në parlament të marrëveshjes detare me Greqinë. Peticioni i drejtohet krerëve më të lartë të shtetit shqiptar; si, presidentit të Republikës Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbështetet bazuar në nenet 48 të Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Përmes këtij peticioni çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë mund ti thotë jo marrëveshjes aq të kundërshtuar nga specialistë dhe ish ushtarakë nën pretendimin se cenohet sovraniteti i vendit.
“Duke pasur parasysh, kritikat e mëdha që i janë bërë kësaj marrëveshjeje nga ekspertë të mirënjohur; mungesën e theksuar të transparencës përgjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje dypalëshe; shpejtësinë e pashpjegueshme të procedurave administrative dhe parlamentare nëpër të cilën ka kaluar ky projektligj; mungesën e debatit në komisionin e ligjeve dhe kalimin e saj menjëherë për votim dhe për në seancë plenare; afrimin e frikshëm të datës së diskutimit dhe miratimit në seancë plenare; nenin 131 të Kushtetutës ku shprehet se kushtetutshmëria e marrëveshjeve ndërkombëtare mund të shikohet vetëm para ratifikimit të saj nga Kuvendi, e vlerësojmë tepër të rëndësishme përfshirjen e sa më shumë institucioneve kushtetuese në këtë lloj vendimmarrjeje në mënyrë që të respektohet integriteti territorial i Republikës sonë, sovratiteti i shtetit dhe Kushtetuta e tij” thuhet në peticionin ku theksohet se marrëveshja cenon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
13 Tetor 2009