E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullat se si do të kthehen objektet shtetërore në shoqëri tregtare

Udhëzimi i ri, përcaktohen si do të veprohet kur në garë janë dhe ish-pronarët

Laureta Rryçi

Ndryshohen rregullat për ankandet publike që do të zhvillohen për ndërmarrjet shtetërore që do të kthehen në shoqëri tregtare. Udhëzimi që mban firmën e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përcaktuar gjithashtu dhe kriteret e vlerësimit të këtyre objekteve shtetërore. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë udhëzimin e plotë dhe po e boton atë në numrin e sotëm.
Sipas këtij udhëzimi, me shpalljen e shoqërisë në likuidim, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, shiten nëpërmjet ankandit publik, pas publikimit në Buletinin e Njoftimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik. Njoftimi për shitje do të bëhet katër herë radhazi nga data e dërgimit të njoftimit për shitje dhe do të afishohet edhe në mjediset e shoqërisë e në objektin që do të shitet. Njoftimi në Agjencinë e Prokurimit Publik do të bëhet dhe do të ndiqet nga autoriteti shitës, i cili bën dhe dorëzimin e dokumenteve standarde të ankandit të shpallur kandidatëve blerës kundrejt një pagese të përcaktuar në njoftimin për ankand.
Ish-pronarët
Ankandet për shitjen e pasurive të ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore në likuidim do të bëhen në mjediset e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Njësia e ankandit do të përbëhet nga jo më pak se 3 veta, të cilët përcaktohen me urdhër të likuidatorit të shoqërisë. Dy të tretat e anëtarëve të njësisë së ankandit do të caktohen me autorizim të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, mbi bazën e kërkesës së likuidatorit të shoqërisë, 10 ditë përpara datës së shpalljes së ankandit. Bazuar në kreun III, pika 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1638, datë 17.12.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, në ankandet për shitjen e pasurive të këtyre shoqërive nuk zbatohet, për ish-pronarët, e drejta e parablerjes. Ata marrin pjesë në ankand si të gjithë të tjerët. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur dhe e kthyer me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ankandet
Gjatë zhvillimit të ankandit mbahet procesverbal, ku evidentohen emrat e anëtarëve të njësisë së ankandit, emrat e konkurruesve në ankand dhe emri i personit të shpallur fitues. Fituesi
lidh kontratë për blerjen e objektit, pas pagesës së plotë të vlerës së objektit, përfshirë dhe TVSH-në (20%) për asetet që janë objekt i saj. Pagesa në asnjë rast nuk mund të bëhet me letra me vlerë ose bono privatizimi. Me lidhjen e kontratës likuidatori bën dorëzimin e objektit, nëpërmjet aktit të dorëzimit. Nëse personi që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit nuk paguan brenda 30 ditëve nga data e shpalljes fitues vlerën e çmimit të arritur në ankand, ai e humbet të drejtën e blerjes, i konfiskohet sigurimi i ofertës dhe humbet të drejtën për të marrë pjesë në ankandin që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti. Objekti rishpallet për shitje duke zbatuar procedurat e publikimit sipas përcaktimeve në këtë udhëzim.
Kostoja
Vlera fillestare e ankandit për shitjen e objekteve të truallit dhe makinerive e pajisjeve është vlera e përcaktuar nga ekspertët vlerësues, të emëruar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë
dhe Energjetikës, me kërkesën e likuidatorit të shoqërisë, në përputhje me çmimet e tregut. Kësaj vlere i shtohet vlera sipas kontabilitetit e inventarit ekonomik, si dhe vlera e mjeteve të xhiros të objektit përkatës. Para publikimit të objektit për shitje, shoqëria kërkon në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme hartën treguese përkatëse. Në rast se nuk realizohet shitja me vlerat e përcaktuara nga ekspertët vlerësues, mbas shpalljes dy herë për shitje, objekti publikohet për herë të tretë, me një ulje VAM-i me 30 për qind të vlerës fillestare, duke i shtuar kësaj vlere edhe vlerën e truallit, të përcaktuar nga ekspertët vlerësues. Nëse edhe me këtë vlerë nuk shitet, atëherë për përcaktimin e destinacionit të mëtejshëm të objektit e vendos ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Somario

Në ankandet për shitjen e pasurive të këtyre shoqërive nuk zbatohet e drejta e parablerjes
për ish-pronarët

Boc

Vlera kur bëhet shitja e dytë e të njëjtit objekt
Bazuar në kreun III, pika 16 dhe 17 “b” të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1638, datë 17.12.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe
për procedurën e shitjes”, makineritë dhe pajisjet që nuk kanë mundur të shiten me vlerat e përcaktuara nga ekspertët vlerësues publikohen për herë të dytë me 50 për qind të vlerës së përcaktuar në fillim. Në rast se shitja nuk realizohet, zbatohen procedurat e nxjerrjes jashtë përdorimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të ardhurat e realizuara nga likuidimi, si shitja e aseteve, arkëtimi i debitorëve, të ardhurat nga qiraja apo dhe fitime të tjera, shërbejnë për shlyerjen e kreditorëve të shoqërisë në likuidim, në mënyrë proporcionale në varësi të mjeteve monetare të siguruara. Përjashtohen nga ky
rregull detyrimet fiskale dhe ato sociale (paga dhe sigurime shoqërore), të cilat do të shlyhen tërësisht, sipas detyrimeve të pasqyruara në bilancin kontabël të miratuar nga organet kompetente. Për kërkesat debitorë, të paarkëtueshme, si në rastin kur debitorët nuk ekzistojnë, kur kërkesat nuk janë të dokumentuara apo është humbur procesi gjyqësor etj., procedohet duke i kaluar si shpenzime likuidimi. Likuidatori nuk mund të lidhë kontratë dhe as nuk mund të shesë asete me mirëkuptim,
pa autorizimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në publikimin për shitje të pasurisë së shoqërisë në likuidim përfshihen edhe objektet e dhëna me qira përpara datës së shpalljes së shoqërisë në likuidim. Llogaritë vjetore depozitohen në formën dhe në afatet e parashikuara në Ligjin Nr. 9228, datë 29.4.2008 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Anulohen të gjitha miratimet e privatizimit të aseteve të përfshira në kapitalin e shoqërisë që nuk kanë filluar procedurën e përgatitjes së dokumentacionit para datës së shpalljes së shoqërisë në likuidim me vendim gjyqi. Udhëzimi Nr. 317, datë 8.4.2009 “Për shoqëritë anonime në likuidim e sipër, me kapital shtetëror” i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shfuqizohet.

Detyrimet sipas udhëzimit të ri

1. Me shpalljen e shoqërisë në likuidim, procedurat bëhen në përputhje me seksionin V, “Likuidimi” të kreut VI “Dispozita të përbashkëta për të gjitha format e shoqërive”, të Ligjit
Nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

2. Operacionet e likuidimit kryhen nga likuidatori, i cili përfaqëson shoqërinë dhe ka për
objekt mbylljen e llogarive dhe çregjistrimin e shoqërisë, në përputhje me Ligjin Nr.9723, datë
3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

4. Me kalimin e shoqërisë në likuidim hartohet bilanci i likuidimit, i cili verifikohet dhe vërtetohet nga eksperti kontabël i autorizuar. Bilanci, për efekt likuidimi, miratohet nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shërben si pikënisje për identifikimin e aseteve, elemente të pasurisë që do të likuidohet.

boc
Likuidatori ngre një komision për vlerësimin e mjeteve të xhiros si më poshtë vijon:
a) Artikujt e grupit “a”, që kanë vlerë tregtimi në qarkullim normal, vlerësohen me çmimin e shitjes me shumicë në treg;
b) Artikujt që kanë vlerë tregtimi, por me qarkullim të ngadalshëm, vlerësohen me vlerën kontabël të mbetur;
c) Artikujt e grupit “c”, që nuk gjejnë treg shitjeje, vlerësohen me vlerën kontabël të mbetur, shumëzuar me koeficientin 0.1;
ç) Për metalet me ngjyrë, si bakri, alumini, plumbi, zinku, kallaji, nikeli, ari dhe argjendi, vlera fillestare e ankandit, për rastet kur çmimi në treg është më i lartë se vlera kontabël e tyre në bilanc, llogaritet referuar çmimit përkatës sipas Bursës së Londrës (LME);
Raportet e vlerësimit të ekspertëve vlerësues, si dhe raportet e komisionit miratohen para publikimit nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›