E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi në Korçë, 100 vizita në ditë

Sipas mjekëve, situata është kritike, sidomos tek të vegjëlit: Është një epidemi e vërtetë
Korçë-Shtohet ndjeshëm numri i personave të prekur nga gripi në Korçë, ndërsa fëmijët duket se janë më të prekurit nga viroza stinore. Mjekët e spitalit Pediatrik të Korçës japin alarmin për një epidemi të vërtetë kryesisht tek fëmijët, ndërkohë që vogëlushë të shumtë mbërrijnë atje me temperaturë të lartë. Sipas drejtorit të spitalit Pediatrik, Luan Belortaja, situata është kritike, pasi kjo është një epidemi e vërtetë, ndërsa për fat të mirë nuk ka pasur probleme që mund të çojnë në rrezikun e jetës së pacientëve të vegjël. Kështu numri i vizitave ditore në këtë spital arrin në rreth 100 të tilla, ndërsa shtrimet ditore gjithashtu me terapi 24 orëshe të të vegjëlve të sëmurë kalojnë dhe 30 vetë në ditë. Ndonëse situata është nën kontroll të plotë sipas mjekut Belortaja prindërit e pacientëve fëmijë që vijnë me temperaturë të lartë me diarre dhe të vjella në spital duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj tyre dhe duhet të kërkojnë ndihmën e specializuar mjekësore menjëherë sapo shfaqen shenjat e para, që janë rritja e temperaturës, për të evituar dhe komplikacionet që rrezikojnë jetën e të vegjëlve. Sipas tij, duhet të tregohet kujdes i veçantë për fëmijët për t'i mbajtur në ambiente të ngrohta dhe duke i trajtuar me sa më shumë lëngje. "Moshat që janë prekur nga kjo virozë e dimrit ka kapur fëmijët që të sapolindur deri në 14-vjeç, por pa kursyer dhe më të mëdhenjtë",- thotë ai. Ndërkaq dhe pranë qendrave shëndetësore të lagjeve dhe në fshatra, numri i vizitave ditore është shumë i madh gjatë ditës, duke pasur të gjithë një të përbashkët, prekjen nga gripi që në Korçë tashmë mund të thuhet se është një epidemi e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›