E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Artur Shehu pranon vrasjen e prindërve

I akuzuari ka pohuar në telefon se ka vrarë dy prindërit në Çikago por nuk ka dhënë shpjegime për motivin
Prokuroria e Villa Park në Çikago të SHBA-së ka ngritur zyrtarisht akuzën e vrasjes së prindërve të tij për Artur Shehun. Dy ditë pas vrasjes makabre hetuesit kanë arritur në përfundimin se autori i krimit është pikërisht djali i vogël i familjes. Edhe pse ai ka arritur që të arratiset, policia e ka shpallur në kërkim dhe fotoja e tij i është shpërndarë të gjitha patrullave të Chikagos.
Mediat amerikane kanë raportuar dje se Artur Shehu ka vrarë prindërit e tij teksa ata ishin në gjumë në shtëpinë ku banonin të tre. Trupat e viktimave u zbuluan mëngjesin e nesërm pasi ishte vetë Arturi ai që bëri një telefonatë në numrin 911 të policisë. Pas kësaj ai u largua nga shtëpia dhe në momentin që aty mbërriti policia lokale, kishte ikur. Hetuesit shpjeguan se vetë Artur Shehu kishte pohuar në telefon se kishte vrarë prindërit. "Ai ka folur me një zë shumë të tronditur por nuk ka dhënë asnjë shpjegim përse ka kryer krimin",- thanë hetuesit për mediat amerikane. Sipas të dhënave që ka bërë publike policia amerikane, Artur Shehu është i gjatë 1 metër e 74 centimetra, rreth 88 kilogram, me flokë dhe sy kafe.
Një nga fqinjët e familjes Shehu ka pohuar se ata kishin hyrë në atë shtëpi në fund të verës së vitit 2006. "Unë kam parë shpesh burrin plak dhe jam i sigurt se ai djali i ri është i biri por me atë nuk kam folur kurrë. Ndërsa gruaja plakë nuk dilte kurrë nga shtëpia. Unë e kam parë vetëm një herë",- ka treguar Mike Espinoza, i cili banon në shtëpinë përballë asaj të viktimave. Ndërkohë policia ka gjetur si makinën personale të vrasësit, ashtu edhe taksinë e tij por asnjë shenjë të Artur Shehut. Sipas të dhënave të policisë, ai nuk ka asnjë precedent penal dhe hetuesit janë ende të paqartë për shkaqet që mund ta kenë shtyrë të kryejë këtë krim të rëndë.
Syrja Shehu dhe familja e tij u persekutuan me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Emigrimi në vitin 1997
Historia e familjes së persekutuar që emigroi në SHBA
SARANDË- Fisi Shehu, nga rrjedh edhe familja e vrarë në SHBA është me origjinë nga Konispoli. Në vitet 60' Syrja Shehu ka punuar berber në Konispol. Në vitin 1968 Syrjai arrestohet me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Ai u akuzua gjithashtu edhe si mbështetës i grupi të Teme Sejkos. Pas lirimit nga burgu, familja e Syrja Shehut internohet për të humbur lidhjet e shumta farefisnore dhe vendoset nën masa të rrepta vëzhgimi në fshatin Piqeras, Sarandë. Tre vajzat e lindura para se Syrjai të burgosej u shpërngulën në Piqeras me masën e kundërshtareve dhe armiqve të regjimit, për të punuar në hapjen e tarracave të bregdetit. Në kushtet e internimit dhe mungesës së lëvizjes së lirë nga mjedisi i fshatit lindi Arturi, fëmija më i vogël i familjes. Në vitin 1986 njëra nga motrat e Arturit kaloi në depresion dhe piu helm për shkak se Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe nuk i akordoi të drejtën e studimit edhe pse kishte rezultate shumë të mira në përfundim të shkollës së mesme. Pas lirimit nga burgu, Syrja Shehu ka punuar ne bujqësi deri në vitin 1990 dhe më pas deri në vitin 1997 ka punuar në policinë pyjore si specialist i ruajtjes dhe mbrojtjes së druve pyjorë. Në vitin 1997 familja Shehu u largua nga Piqerasi për në SHBA.
Për aq sa e mbajnë mend shokët e tij të vjetër, Arturi mbahet mend si një djalë i mbyllur në vetvete. Ai është kthyer në Shqipëri në vitin 2000 kur tentoi të punonte me taksi në qytetin e Durrësit. Pas pak muajsh familja udhëtoi sërish për në Çikago pasi fitimet e tyre në qytetin e Durrësit ishin të papërfillshme.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›