Gropa në buxhet, zbriten miliardat që mungojnë
Qeveria vazhdon të arnojë buxhetin e vitit të kaluar, i cili tashmë e tregon qartazi krizën, e cila nuk u pranua nga qeveria në kohën e duhur, duke sjellë pasoja edhe në buxhetin e vitit 2010
Vazhdojnë arnimet në buxhetin e vitit 2009, i cili tashmë nuk mund të mbajë as një rritje sa gjysma e asaj që deklaroi qeveria në fund të vitit fiskal. Tashmë mungojnë shumë para, të cilat duhet të ishin mbledhur nga taksat në kohën e duhur dhe që kanë vënë në vështirësi serioze financat që po mendojnë seriozisht për krasitje të reja në administratën publike. Qeveria më në fund është dorëzuar përballë efekteve që ka dhënë kriza ekonomike gjatë vitit 2009. Për të dytën herë, Ministria e Financave i kërkon parlamentit të ndryshojë buxhetin, pasi në arkën e shtetit mungojnë 6.2 miliardë lekë më pak nga sa kishte parashikuar ky institucion edhe pas rishikimit që iu bë shifrave në shtator të vitit të kaluar. Mosmbledhja e taksave në nivelin e parashikuar është një dëshmi e qartë e tkurrjes së aktivitetit ekonomik në vend. Por ekspertët janë të mendimit se ndryshimi i buxhetit dy herë brenda vitit ka ndodhur për herë të parë në vitin 1998 dhe u përsërit në vitin 2009, për shkak të paaftësisë së qeverisë për të parashikuar saktë shifrat. Ky fakt vjen si rrjedhojë e mospranimit të krizës ekonomike. Por ndryshimet e shifrave të vitit 2009 do të ndikojnë në buxhetin e vitit 2010. Po të shtojmë edhe efektin e dëmshpërblimeve që qeveria do të duhet të paguajë për të përmbyturit e Shkodrës, atëherë Ministria e Financave shumë shpejt do të dërgojë në parlament edhe ndryshimet në buxhetin e këtij viti.
***
Gropa e deficitit buxhetor vazhdon që të zgjerohet, ndërsa treguesi i tij mbetet një nga shqetësimet kryesore për stabilitetin ekonomik të vendit. Rritja e deficitit buxhetor duhet parë me shqetësim edhe për faktin se është më shumë se dyfishi i treguesit të parashikuar nga stafi i FMN-së në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Në “Albanian General Govermment Operation 2006-2013” parashikimet kanë qenë që deficiti duhet të ishte jo më shumë se 3 për qind e PBB-së. Ky është një tregues rreth të cilit ka detyrime sasiore, të vendosura për vendet që bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Totali i të ardhurave si 10-mujor paraqitet me një mosrealizim prej rreth 11 miliardë ALL në raport me planin e të njëjtës periudhë. Nga vetë të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, bëhet e ditur se plani 10-mujor është vetëm 75 për qind e planit vjetor. Kjo do të thotë se në dy muajt e fundit do të duhet të realizohet 25 për qind e planit vjetor, që me ecurinë e deri tanishme është pothuajse e pamundur.
***
Mosrealizimi i të ardhurave tatimore rezulton mbi 22 miliardë lekë. Analiza e të ardhurave nga tatimet dhe doganat na evidencon se në raport me planin është realizuar Tatimi mbi Fitimin dhe Taksat Nacionale. Realizimi i të ardhurave nga Tatim-Fitimi është 101.19 për qind, duke kontribuar pozitivisht në realizimin e të ardhurave shtesë prej 169 milionë lekësh, ndërsa taksat nacionale janë realizuar 104,8 për qind në raport me planin, duke kontribuar pozitivisht me 600 milionë lekë mbi planin. Treguesit e tjerë janë realizuar në diapazonin 96 për qind që është Tatimi mbi të Ardhurat Personale, deri në 99 për qind që janë Taksat Doganore. Të ardhurat nga pushteti vendor si 10-mujor kanë krijuar një deficit prej 2.2 miliardë lekësh. Ndjeshëm në këtë tregues bie në sy fakti që si 10-mujor është realizuar 82,7 për qind e planit të periudhës, ndërkohë që ato përfaqësojnë vetëm 56 për qind të planit vjetor. Buxhetet e pavarura janë realizuar në masën 97 për qind, duke kontribuar kështu në deficitin e mosrealizimit të të ardhurave në masën 1,2 miliardë lekë.