Peshkopi, ekzekutohet me kallashnikov pronari i një lokali
Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e ditës së djeshme dhe viktima është Reshat Rustemi, ndërsa autori vihet në pranga pak orë më pas
Një person ka humbur jetën, pasi është ekzekutuar me automatik brenda në lokalin e tij në Peshkopi. Sipas burimeve nga policia, viktima është Reshat Rustemi. Në pranga ka rënë edhe Qemal Kaci, autori i këtij krimi. Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të filluar mes viktimës dhe autorit për motive të dobëta. Kaci qëlloi disa herë me armë ndaj Rustemit, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës. Megjithëse viktimës i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e qytetit, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi ai nuk arriti të mbijetonte si pasojë e plagëve të marra. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje. Ata më pas kryen edhe arrestimin e autorit të krimit, i cili është shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Rreth orës 08:30 të ditës së djeshme dëshmitarët kanë parë një person të armatosur me një automatik, të futej në derën e lokalit me pronar Reshat Rustemin. Më pas është dëgjuar një breshëri krismash, ndërsa autori është larguar me shpejtësi. Brenda në lokal i shtrirë dhe i mbuluar nga gjaku ka qenë pronari i tij. Plumbat e kanë kapur atë në trup dhe këmbë. Menjëherë ndaj Rustemit është dhënë ndihma e parë, duke e çuar atë në spital. Por si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut, ai nuk arriti të mbijetonte. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e krimit. U morën dëshmitë e personave të ndryshëm si dhe u këqyr vendi i ngjarjes. U sekuestruan disa gëzhoja, që dolën nga arma e krimit, si dhe u identifikua autori i kësaj vrasjeje. Më pas, pas një operacioni të zhvilluar nga forcat e komisariatit të qytetit u arrit që të vihej në pranga personi që kreu vrasjen, Qemal Kaci, i cili është me profesion mekanik. Uniformat blu sekuestruan edhe armën e krimit, një automatik të tipit kallashnikov. Sipas burimeve të policisë, mendohet se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt për motive të dobëta, i ndodhur midis viktimës dhe autorit para disa ditësh. Ishte pikërisht kjo përplasje midis tyre që çoi në vrasjen e Rustemit nga Kaci. Ky i fundit pas arrestimit u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes”.