Grossruck: Reforma zgjedhore, jo ndryshim të sistemit, të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR

Atëherë kur përfaqësuesit e dy partive të mëdha parlamentare PD dhe PS po studiojnë mbi modalitetet e reformës zgjedhore, OSBE shprehet për herë të parë rreth kësaj çështje, duke arsyetuar se sistemi zgjedhor nuk duhet ndryshuar. Kësisoj, zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck shprehet se sistemi zgjedhor nuk duhet të ndryshohet plotësisht. Në një intervistë për mediat shqiptare, Grossruck ka theksuar se në ndryshimet e reformës zgjedhore duhet të përfshihen rekomandimet e OSBE-së, por kjo sipas tij, është në dorën e palëve. Duke iu referuar 10 pikave të propozuara nga kreu i PS-së, Edi Rama, Grossruck tha se mazhoranca e Shqipërisë është shprehur e gatshme të diskutojë me opozitën rreth paketës së saj. Apeli i Grossruck është se PD dhe PS duhet të nisin bashkëpunimin konkret në funksion të bërjes së reformës zgjedhore dhe përgatitjes së infrastrukturës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.