E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Dialog të hapur mes partive, por pa kushte

04-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon përfaqësuesin e OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Battelli: Shqipëria ka shënuar progres të jashtëzakonshëm


Kryeministri Berisha priti sot në një takim një Delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga z. Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e OSBE-së, Prezencës së saj në Tiranë, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR, si në procesin e reformës zgjedhore, ashtu edhe në monitorimin shumë profesional të zgjedhjeve në Shqipëri. Anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e siguruan atë se Asambleja Parlamentare e OSBE dhe kjo organizatë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë në të gjitha aspektet e reformës zgjedhore dhe më gjerë. Asambleja Parlamentare e OSBE-së vlerëson se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent, u shpreh zoti Battelli. Në këtë kontekst, ai vlerësoi suksesin e madh që u shënua në këtë drejtim me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent. Kjo u rikonfirmua qartësisht edhe nga raporti OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2011, i cili konkludoi se zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin tërësisht transparente dhe kompetitive, çka dëshmon për përparimin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë gjatë kësaj periudhe. Në takim u theksua rëndësia e adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore  të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike. Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale. Më tej, Kryeministri Berisha i njohu anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së  me reformat e ndërmarra në fusha të tjera si; infrastrukturat e rëndësishme, në fushën e arsimit, shëndetit publik, komunikimeve elektronike, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, etj. Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, z. Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit  në Bashkimin Evropian. Në të gjitha këto përpjekje, Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të saj dhe organizatave të lidhura me të, theksoi z. Battelli. Kryeministri Berisha falënderoi edhe njëherë Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen e kësaj organizate dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë këtë bashkëpunim të ngushtë dhe shumë të frytshëm me OSBE-në, edhe në të ardhmen.


Topalli-Battelli: Dialogu mazhorancë – opozitë, brenda institucioneve


Asambleja parlamentare e OSBE-së: “Dialogu politik duhet të bëhet mbi çështje të arsyeshme". 


"Dialogu duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve”, tha sot përfaqësuesi special i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore. Roberto Battelli, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit falenderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për misionin dhe kontributin në zgjedhjet e 8 majit, të cilat në raportin final të OSBE-ODIHR u cilësuan si transparente dhe kompetitive. “Raporti i OSBE-ODIHR-it me 52 rekomandimet e tij, tha Kryetarja e Kuvendit, janë baza për reformën e ardhshme zgjedhore, reformë që kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile, me asistencën e OSBE/ODIHR-it. Si Kryetare e Kuvendit kam përsëritur ftesën për ngritjen sa më parë të Komisionit për reformën zgjedhore. Bojkoti ka bërë të humbin tashmë dy vjet për të nisur këtë reformë. Bllokimi dhe bojkoti kanë dëmtuar vendin. Një bllokim i ri është edhe mosvotimi i ligjeve të integrimit, që kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit. Ligji për Gjykatën Administrative, i konsultuar me ndërkombëtarët dhe i amenduar nga opozita, kodet që kërkojnë shumicë të cilësuar, Avokati i Popullit, ligji për heqjen e imunitetit janë në rend të ditës në pritje të votës së opozitës. Deputetët e opozitës duhet të përmbushin misionin dhe detyrën kushtetuese në votimin e ligjeve dhe jo vetëm të votojnë prezencën e tyre në parlament. Si kryetare e Kuvendit kam qenë e hapur gjithashtu për të diskutuar mbi Rregulloren e Kuvendit, duke patur si model Rregulloren e Parlamentit Europian”. Nga ana e tij, z. Battelli theskoi se “reformat vijnë përmes votës”. Ai tha se “Shqipëria ka një energji shumë pozitive dhe vendi juaj është një vend me perspektivë europiane”. Biseda mes kryetares së Kuvendit dhe përfaqësuesve të delegacionit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së u ndal më tej në mundësitë konkrete të bashkëpunimit mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë së OSBE-së në vijim të reformave integruese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›