Rrëmbyen 18-vjeçarin, arrestohen nga uniformat blu
TIRANË - Tre persona, të cilët akuzohen për “heqjen e paligjshme të lirisë” së shtetasit Indrit Alku, u arrestuan nga policia e kryeqytetit. Burime policore thanë se të implikuar në këtë ngjarje janë, Artur Gjoka, 40 vjeç, si dhe 20-vjeçarët Elton Hakaj e Urim Mera. Të njëjtat burime saktësuan se zanafilla e konfliktit midis shtetasve të mësipërm me shtetasit Endrit Alku dhe Erion Rryçi ka nisur rreth një javë më parë për motive të dobëta dhe këta të fundit janë goditur me mjete të forta dhe kanosur nga të tre të arrestuarit. Konflikti midis të rinjve ka rinisur përsëri dje rreth orës 19:00, në Laprakë, në afërsi të bllokut “Gintash”, të cilët kanë marrë me dhunë duke e futur në një automjet dhe hequr në mënyrë të padrejtë lirinë e Indrit Alkut. Dyshohet se motivi i konfliktit midis këtyre dy grupe të rinjsh është për disa borxhe të papaguara nga shtetasi Indrit Alku. Gjatë heqjes së paligjshme të lirisë së Alkut, personat e arrestuar i kanë kërkuar me forcë tërheqjen e kallëzimit të bërë prej tij dhe shtetasit Erion Rryçi për “kanosje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”. Në cilësinë e provës materiale policia bllokoi automjetin tip “Volkswagen tuarek”, i cili ka shërbyer për heqjen e paligjshme të lirisë së shtetasit Indrit Alku. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
25 Shkurt 2008