Tre të arrestuar për vrasjet në Trush
Uniformat blu arrestuan dhe 18-vjeçarin Ardian Marlocaj. Më parë ishin arrestuar Lazër Rrethi dhe Gjergj Marlocaj
SHKODËR - Policia ndaloi dje një 18-vjeçar, i cili dyshohet të jetë përfshirë në një nga dy vrasjet e njëpasnjëshme që ndodhën pasditen e djeshme në një fshat të këtij rrethi. Adoleshenti është i treti në radhën e të dyshuarve për vrasjet që tronditën fshatin Trush të rrethit të Shkodrës.
Arrestimet
Burime zyrtare të policisë së Shkodrës thanë për gazetën se pas arrestimit të Lazër Rrethit dhe Gjergj Marlocaj, uniformat blu arrestuan dhe 18-vjeçarin Ardian Marlocaj, djali i Gjergj Marlocajt”. Tre personat, vijuan burimet, dyshohen si autorë të dy vrasjeve të njëpasnjëshme që ndodhën dje pasdite në fshatin Trush të komunës Bërdicë. Në këto krime mbetën të vrarë Nikoll Marlocaj, 48 vjeç dhe Luçe Rrethi, 40 vjeç. Sipas policisë, fillimisht mbeti i vrarë Nikoll Marlocaj dhe si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje u arrestua Lazër Rrethi. Duket se në shenjë hakmarrjeje, pak minuta pas kësaj vrasjeje, u ekzekutua me armë zjarri bashkëshortja e Lazër Rrethit, Luçe Rrethi. Policia identifikoi dhe arrestoi si autor të dyshuar të vrasjes së gruas 40-vjeçare shtetasit Gjergj Marlocaj, vëllai i viktimës Nikoll Marlocaj. I përfshirë në këtë vrasje dyshohet të jetë dhe djali i Gjergj Marlocajt, Ardian Marlocaj, i arrestuar sot nga policia e Shkodrës. Policia e Shkodrës ende nuk ka dalë me një version zyrtar lidhur me këto ngjarje të rënda që tronditën fshatin Trush. Burimet thanë se po hetohet në disa pista, pa folur konkretisht për ndonjë motiv.
Ngjarja
Rreth orës 17 e 30 minuta të së premtes, Lazër Rrethi qëlloi për vdekje Nikollë Marlocajn, 48 vjeç. Vrasja ka ndodhur në një rrugë të ngushtë fshati, pikërisht në rrugicën që të çon te shtëpia e viktimës. Një breshëri automatiku ka lënë të vdekur në vend 48-vjeçarin. Vrasja afër shtëpisë ka bërë që lajmi të merrej vesh shumë shpejt dhe të afërm të Nikollës kanë nxituar të marrin gjakun. Një ndër të afërmit e Nikollës, pikërisht njëri nga vëllezërit e tij, ka shkuar në shtëpi, ka marrë armën dhe është nisur drejt shtëpisë së vrasësit Lazër Rrethi. Te dera e shtëpisë ka qenë Luçe Rrethi, gruaja e tij. Ajo po hapte derën e jashtme të shtëpisë për të hyrë brenda, ndërkohë që personi me pistoletë në dorë nuk është menduar fare, madje nuk ka menduar se gruaja nuk vritet për gjak, sipas Kanunit. Për të ka mjaftuar fakti që kishte të bënte me një person nga familja e vrasësit të njeriut të shtëpisë dhe ka qëlluar. Urrejtja ka qenë aq e madhe, sa numri i plumbave mbi gruan ka qenë i shumtë. Si pasojë e plumbave, gruaja është transformuar plotësisht, pasi ka pasur plumba në kokë dhe në trup. Breshëritë e plumbave kanë çuar në këmbë jo vetëm familjarët e dy palë viktimave, por edhe banorët e fshatit, të cilët janë mbledhur në vendngjarje me të shpejtë. Dy viktimat qëndronin të shtrira vetëm pak metra larg njëra-tjetrës dhe askush nuk i lëvizte pa ardhur policia.
25 Shkurt 2008