Gruaja e pastorit të vrarë: Thuaji jo gjakmarrjes
Një vit pas vrasjes së Dritan Prrojit bashkëshortja e tij organizon një fushatë sensibilizuese
SHKODËR Vetëm pak ditë përpara njëvjetorit të vrasjes së pastorit Dritan Prroj, Kisha Ungjillore dhe fondacioni “Pro jetës, kundër gjakmarrjes”, që drejtohet nga bashkëshortja e pastorit të vrarë, ka organizuar dhurim vullnetar gjaku. Dhuruesit kanë dhuruar gjak në ambientet e poliklinikës së qytetit me moton “Thyej heshtjen, dhuro gjak kundër gjakmarrjes”. Elona Prroj, bashkëshortja e pastorit të vrarë një vit më parë për gjakmarrje, shprehet se ky “aktivitet për dhurim gjaku është një mesazh. Në qoftë se nuk është e mundur të falësh gjak, në qoftë se nuk mund të dhurosh dot gjak, atëherë mos ia merr jetën askujt, pasi jeta është dhuratë e Perëndisë dhe vetëm Zoti e ka në dorë jetën tonë”. Më tej ajo shton se ndihet e fortë dhe e motivuar për ta bërë këtë luftë në emër të familjeve të tjera që qëndrojnë të ngujuara, që kalojnë ato situata të ngjashme me ato që kaloi ajo në 6 vite. “Dua ta bëj për humbjen që kam patur, për ato familje që presin çdo ditë me frikë se kush do të vritet që të tjerët të lirohen. Jam e fortë për ta bërë këtë luftë”, shprehet Elona Prroj. Tashmë po bëhet një vit që ka kaluar nga vrasja e pastorit Dritan Prroj, i cili në momentin e ekzekutimit ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugicën e Gjuhadolit dhe autori Mark Njembza, që duket se ka ndjekur lëvizjet e tij, e ka qëlluar me pistoletë në rrugicën e ngushtë. Dritan Prroj i plagosur ka mundur të largohet me vrap dhe ka dalë nga rrugica dhe te Dugajet e Reja duke hyrë në rrugën pedonale mjaft të populluar në atë moment dhe për të shpëtuar është futur në një prej lokaleve në të majtë të rrugës. Autori e ka ndjekur nga pas dhe ka arritur ta qëllojë tek dera e lokalit. Vrasja është kryer për motive gjakmarrjeje. Më 01.09.2005 është vrarë brenda një lokali në lagjen Qaf Hardhi shtetasi Sokol Njemza rreth 25 vjeç efektiv i policisë së qarkullimit rrugor në Shkodër. Mësohet se polici ka qene civil dhe nuk ka patur armë me vete. Autor i kësaj vrasjeje ka qene pronari i lokalit Nipollë Prroj, i afërm i pastorit shkodran.