Shpërthen bombola, vdes punëtori i varrezës së makinave
Policia arreston pronarin pasi gjen predhë mes hekurishtes. 41-vjeçari nuk kishte leje për këtë aktivitet
Librazhd Policia e Librazhdit ka arrestuar Artur Balën, 41 vjeç, me banim në Librazhd, pasi akuzohet për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve, bombave dhe municionit luftarak pa lejen e organeve kompetente. Ndalimi i tij u krye menjëherë pasi në varrezën në pronësi të këtij shtetasi në Murrash, në afërsi të qytetit të Librazhdit, gjeti vdekjen Besnik Bala, 24 vjeç, me banim në lagjen “Haxhias” në Elbasan, i cili ishte i punësuar në pronën e 41-vjeçarit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite. Sipas të dhënave të policisë, punëtori Besnik Bala ka qenë duke prerë me trako një bombol gazi në këtë varrezë, por befas bombola ka shpërthyer dhe nga ky shpërthim ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për të ndjerin nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi, megjithëse shtetas që ndodheshin aty pranë janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia e Librazhdit, ekspertët dhe një grup hetimor. Sipas të dhënave paraprake, rezulton se vdekja e Besnik Balës është provokuar nga shpërthimi i bombolës gjatë kohës që ai po e priste me trako. Pas kësaj ngjarjeje është shoqëruar për në polici pronari Artur Bala, por nga kontrolli i ushtruar në varrezën e makinave u gjend dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një predhë luftarake. Kjo provë ka bërë që ndaj tij të merret menjëherë masa e arrestit dhe të ngrihet akuza e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak.
Gjatë këtij viti ka patur disa ngjarje aksidentale në qarkun e Elbasanit dhe tre shtetas kanë humbur jetën në rrethana të ndryshme. Për të përfituar disa kilogramë skrap më shumë, shtetas të ndryshëm rrezikojnë duke u futur në kabina elektrike, duke prerë përcjellës elektrikë, duke vjedhur skrap në miniera, trena pune, hekurudhë, puseta kanalizimesh etj.
Ndërkohë policia dhe drejtori të tilla si ajo e mbrojtjes së mjedisit janë duke ushtruar kontrolle në të gjitha akset rrugore për të verifikuar gjendjen e varrezave të makinave dhe largësinë e tyre nga rruga automobilistike. F.S.