E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton vetëvrasjen i paralizuari, e shpëtojnë prindërit

Korçë Tenton të vetëvritet duke u therur me thikë, e shpëtojnë prindërit. Një 32-vjeçar i paralizuar, nga Pogradeci, ka dashur t’i japë fund jetës së tij të vështirë, krejt ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të tij. Shkak i kësaj tentative, që për fat të mirë nuk ka rezultuar e suksesshme, ka qenë gjendja e rënduar shëndetësore që përjeton prej afro një viti. Duke iu referuar të dhënave të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar dhe protagonist i saj ishte shtetasi Denis G. 32-vjeçar. I riu ka pësuar një paralizë një vit më parë, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ndërsa nuk ka mundur të përballojë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet. Gjatë natës, kur familjarët kanë qenë në gjumë, i vetëm në dhomë i riu fatkeq ka përdorur një thikë për t’i dhënë fund jetës së tij. Ai e ka përdorur atë në bark, teksa nga dhimbjet që shkaktonte plaga e madhe ka nisur të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë. Të tmerruar familjarët janë zgjuar dhe kanë transportuar drejt spitalit të Pogradecit djalin e tyre. Mjekimi ndaj tij ka qenë i menjëhershëm, ndërkohë që policia lokale ka nisur dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mendohet se tentativa për vetëvrasje që ka ndodhur në shtëpinë e të dëmtuarit, në lagjen 3 të qytetit, të jetë nën kushtet e një depresioni të vështirë që po kalon 32-vjeçari i sëmurë. Ndërkaq gjendja e tij shëndetësore është e rënduar, ndërsa mjekët thonë se jeta e tij është ende në rrezik. Vetëvrasjet janë fenomeni më i përhapur në qarkun e Korçës. Duke iu referuar shifrave zyrtare të Drejtorisë së Policisë, mësohet se nga muaji janar deri në muajin shtator në të katër rrethet e qarkut janë regjistruar plot 22 vetëvrasje. Shkak i këtij numri të madh të vdekurish në mënyrë tragjike me anë të vetëflijimit janë problemet sociale dhe varfëria ekstreme në të cilën u duhet të jetojnë. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›