E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gruaja e sëmurë psikike, qëllon burrin me thikë

07/05/2005  Përfundon në spitalin psikiatrik agresorja

VLORË – Një grua e sëmurë psikike ka masakruar dje me thikë burrin e saj, duke e lënë të plagosur rëndë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se një grua, nga qyteza e Orikumit, ka plagosur rëndë burrin e saj, 64-vjeçar, për motive të dobëta. Debati, kanë pohuar burime nga policia e Orikumit, ka filluar dje në mëngjes, kur bashkëshortja A. Dervishi ka pretenduar se burri i saj, Zyhdiu, nuk e dëgjonte më në shtëpi dhe ajo ndihej si e huaj. Kaq ka mjaftuar që gruaja, A. Dervishi të rrëmbej thikën e bukës dhe të plagosë rëndë burrin e saj.

Zyhdi Dervishi ka marrë disa thika në shpatull e në bark, duke i shkaktuar shumë hemorragji. Vetëm ndërhyrja e policisë ka shpëtuar jetën e 64-vjeçarit nga Orikumi, i cili është futur në spitalin e Vlorës në një gjendje mjaft të rëndë. Falë ndërhyrjeve kirurgjikale të mjekëve, mësohet se dje ai ka arritur të dalë nga gjendja e tij kritike për jetën.

Sipas policisë mësohet se gruaja e shtetasit Zyhdi Dervishi vuan nga çrregullime psikike dhe shpesh debatet midis burrit e gruas kalojnë limitet e një zënke. Midis tyre futen thikat, armët e mjetet e forta.

Nga ana e policisë është bërë fillimisht shoqërimi i gruas që tentoi të vriste burrin, por më pas është përcjellë për në spitalin psikiatrik të qytetit, ku i duhet të qëndrojë e izoluar nga pacientët e tjerë të spitalit. Prokuroria e Vlorës nuk ka filluar hetimet për këtë çështje, pasi pacientja njihet që është një e sëmurë e spitalit psikiatrik dhe ishte lënë të jetojë në shtëpinë saj, pasi kishte dhënë shenja qetësie gjatë qëndrimit në spital.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›