E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiqet, klandestinët u drejtohen rrugëve tokësore

03/03/2009  Jo më me gomone, pas shkrirjes së dëborës “fluks” në malet e jugut

VLORE- Shkrirja e dëborës prej maleve ka bërë që një numër i madh emigrantësh të kalojnë në mënyrë ta paligjshme nëpërmjet kufirit tokësor që lidh Shqipërinë me Greqinë. Fenomeni haset më shumë në zonën e fshatrave të Sarandës ku nëpërmjet linjave të trafikut kalohet në zona pyjore dhe male. Sipas drejtorit të policisë kufitare të drejtorisë së Vlorës, Myzafer Elezi, më shumë se sa fenomeni i kalimit të paligjshëm i klandestinëve është ai i personave me precedentë penalë ku sipas tij vetëm këtë javë janë ndaluar 9 persona të shpallur në kërkim të zhdukur ose që kishin kryer vepra penale.

Trafiqet

Sipas Myzafer Elezit, ngritja e temperaturave ka sjellë dhe lehtësira në terren, por edhe policia kufitare ka marrë masa që të parandalohet ky fenomen duke shtuar efektivët si dhe kontrollet në terrene të njohura si “të kalueshme” nga ana e klandestinëve. Edhe pse prej shumë kohësh nuk flitet më për klandestinë që nisen me gomone, fenomeni mund të thuhet se është spostuar në rrugë tokësore, rrugë e cila më parë zgjidhej prej klandestinëve, të cilët nuk dispononin shumën nga 1500 euro në 3000 euro për të kaluar detin në më pak se dy orë dhe kështu zgjidhnin të kalonin kufirin, ndërsa tashmë kjo edhe pse po zbehet shpeshherë janë kapur grupe, të cilat organizonin kalimin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shumave që varionin nga 800 euro për ata që do të donin të ndaleshin në Greqi dhe deri në 4000 euro për ata që donin të shkonin më tej në Evropë. Kreu i policisë kufitare ka shtuar se i lartë ka qenë dhe numri i grupeve të organizuara për këtë linjë trafiku që janë goditur kohët e fundit madje vetëm pak ditë më parë është bërë dhe arrestimi i një grupi ku drejtues i trafikut ishte një invalid, por ka dhe shumë njerëz që e njohin rrugën vetë pa nevojën e udhërrëfyesve. Shumë banorë të fshatrave rurale jo vetëm të jugut, por edhe të veriut synojnë që të largojnë të punësohen në shtetin fqinj për shkak se fillon punësimi sezonal kryesisht në bujqësi, numër i cili është i lartë.

Të arrestuarit

Shumë prej personave të shpallur në kërkim tentojnë të largohen nga Shqipëria duke i shpëtuar dhe drejtësisë. Terreni më i përshtatshëm është ai i kalimit të kufirit drejt Greqisë dhe më pas kalimi drejt vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Sipas raportit të policisë së Vlorës, në tentativë për t’u larguar janë kapur shumë shtetas me precedentë penalë dhe të shpallur në kërkim: A. Peca 23 vjeç nga Kukësi i shpallur në kërkim për “marrëdhënie me dhunë” dhe “heqje e paligjshme e lirisë” nga Drejtoria e Policisë Durrës, A. Bashllari 46 vjeç nga Pogradeci i shpallur në kërkim për “falsifikim dokumentesh” nga drejtoria e policisë Korçë, K. Kosova 17 vjeç nga Berati, i shpallur i zhdukur prej familjarëve prej disa muajsh, për të cilin nuk dihej vendndodhja dhe B. Branga 19 vjeçe nga Lushnja, e shpallur e zhdukur prej familjarëve si dhe katër të akuzuar për bashkëpunim me dhunë ndaj një shtetasi tjetër.

FENOMENI

Pas ngrohjes së motit një numër i madh emigrantësh kanë kaluar në mënyrë ta paligjshme kufirin tokësor që lidh Shqipërinë me Greqinë. Fenomeni haset më shumë në zonën e fshatrave të Sarandës ku nëpërmjet linjave të trafikut kalohet në zona pyjore dhe male.

TË KËRKUARIT

Sipas drejtorit të policisë kufitare të drejtorisë së Vlorës, Myzafer Elezi problem është largimi i personave me precedentë penalë ku sipas tij vetëm këtë javë janë ndaluar 9 persona të shpallur në kërkim të zhdukur ose që kishin kryer vepra penale.

ORGANIZIMI

Kreu i policisë kufitare ka shtuar se i lartë ka qenë dhe numri i grupeve të organizuara për këtë linjë trafiku që janë goditur kohët e fundit. Pak ditë më parë është bërë dhe arrestimi i një grupi ku drejtues i trafikut ishte një invalid, por ka dhe shumë njerëz që e njohin rrugën vetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›