E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bësh biznes, Shqipëria 4 hapa para

 

Fabiola Çela

Edhe këtë vit qeveria shqiptare ka kryer reforma të rëndësishme për biznesin, por krahasuar me një vit më parë ritmet janë më të ngadalta. Sipas raportit të Bankës Botërore “Si të bësh biznes në 2010”, Shqipëria renditet e 82-ta në listë, ndërkohë që një vit më parë renditej 86-ta. Gjatë harkut kohor të një viti, përmirësime ka pasur për tregues si hapja e një biznesi, procedurat për hapjen e tij dhe ulja e kostos për hapjen e një biznesi të ri. Por problem mbeten dhëniet e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës etj.
Raporti
Sipas raportit të Bankës Botërore “Si të bësh biznes në 2010”, për bizneset e vogla është përfshirë një procedurë e thjeshtuar lidhur me aftësinë paguese. Sipas raportit, gjatë harkut kohor prej një viti është lehtësuar fillimi i një biznesi duke përmirësuar kapacitetet e regjistrit elektronik, duke zvogëluar kërkesën për kapital minimal, nga 100 mijë lekë në 100 lekë, si dhe duke eliminuar kërkesën për regjistrim në Dhomën e Tregtisë. Gjithashtu është reduktuar edhe koha për zhdoganimin e mallrave të importit. Dy tregues të tjerë, ku Shqipëria ka përparësi, janë lehtësia për të siguruar një kredi dhe mbrojtja që u garantohet investitorëve, duke qenë në vendin e 15 në botë. Por përveç kësaj, është edhe ana tjetër e medaljes. Në raportin e saj, BB ka evidentuar edhe treguesit ku Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara. Për marrjen e një leje ndërtimi një vit më parë, Shqipëria renditej e 170-ta, ndërsa këtë vit e 173-ta. Për regjistrimin e pronës, një vit më parë renditej e 62-ta, këtë vit e 70-ta. Raporti thotë se në Shqipëri nuk ka bazë ligjore për të mbyllur një biznes, ndaj e rendit vendin të 183-e në listë. Në raportin e BB-së merren në studim treguesit e ekonomisë për 183-ë ekonomi të botës. “Reformat vazhdojnë në lindje të rajonit. Shqipëria, Bjellorusia, Republika Kirkize dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë vazhdojnë zbatimin e reformave në disa fusha për të tretin vit radhazi”, tha Svetlana Bagaudinova, autore e raportit. “Të bërit biznes”, analizon rregulloret që zbatohen për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të tyre të jetës, përfshirë fillimin e një biznesi, veprimet, bërjen tregti përtej kufijve, shlyerjen e tatimeve dhe përfundimin e një biznesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›