Gruaja mbytet në liqen, një i vdekur në Kavajë
TIRANE- Një grua 48-vjeçare u gjet e mbytur në bregun e Liqenit Artificial në Tiranë dje në mëngjes, ndërsa një mashkull, ende i paidentifikuar dyshohet të jetë mbytur në mesditë në Plazhin e Gjeneralit në Kavajë. Policia e kryeqytetit arriti në konkluzionin se ngjarja e Tiranës dyshohet të jetë vetëmbytje e gruas, ndërsa rasti i Kavajës mund të jetë një mbytje aksidentale. Grupi hetimor identifikoi gruan e gjetur nga kalimtarët, në breg të Liqenit Artificial në Tiranë. Ajo është Irena Shuli, 48 vjeçe. Sipas policisë dyshohet se viktima vuante nga depresioni dhe ka dalë gjatë natës nga shtëpia e saj, pranë kodrave të liqenit, ku më pas është mbytur. Trupi i saj u gjet dje rreth orës 07:00, në bregun pranë amfiteatrit që ndodhet te Liqeni Artificial nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan policinë. Fillimisht policia e ka pasur të vështirë të identifikonte gruan e mbytur, pasi ajo nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete. Më pas, kur trupi i pajetë i saj është transportuar në Morgun e Tiranës, për kryerjen e autopsisë, familjarët e interesuar janë paraqitur dhe e kanë identifikuar si të afërmen e tyre Irena Shulin. Burime nga grupi hetimor thanë se familjarët e 48-vjeçares, gjatë deklarimeve të tyre treguan se Shuli vuante prej kohësh nga depresioni dhe ka dalë natën nga shtëpia, në momentin kur pjesëtarët e tjerë të familjes ishin në gjumë.